Këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e tretë e Superligës së Kosovës në hendboll. Derbit e xhiros zhvillohen të shtunën mbrëma. Në Prishtinë, prej orës 19:00, takohen Prishtina e Vushtrria. Prishtina synon fitore dhe llogaritet favorite.
Por Vushtrria ka angazhuar Arben Muqollin për trajner dhe vjen me pretendime në Prishtinë. Vushtrria është kthyer në Superligë, ndërsa i ka luajtur dy ndeshje të forta. Ka humbur nga Kastrioti dhe nga Rahoveci.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës mbrëma (19:00), Rahoveci e pret kampionen në fuqi, Besa Famgas. Besa llogaritet favorite, por “vreshtarët” do të angazhohen për befasi.
Kastrioti – Deçani është ndeshja tjetër e së shtunës. Edhe kjo ndeshje luhet nga ora 19:00.
Xhiroja e tretë mbyllet të dielën me ndeshjen Trepça – Vëllaznimi. Ky takim luhet nga ora 17:00.
Te hendbollistet po ashtu luhet java e tretë. Të shtunën janë ndeshjet Jusuf Gërvalla – Ferizaj (16:00) dhe Istogu – Kastrioti (18:00). Tri ndeshje tjera janë të dielën: Samadrexha – Vushtrria (16:00), Prishtina – Vëllaznimi (17:00), Dukagjini – Shqiponja (14:30).