Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dy basketbollistet amerikane që kanë shënuar 178 pikë në tri ndeshje, janë fyer nga kundërshtaret

Dy basketbollistet amerikane të Vëllaznimit, Ravena Northcross-Baker dhe Sarah Mgrike po dominojnë tërësisht këtë edicion në Superligën e Kosovës, që përbëhet prej gjashtë skuadrave.

Vëllaznimi me amerikanet Northcross-Baker dhe Mgrike në përbërje, ishte i pandalshëm në tri xhirot e para duke regjistruar po aq fitore. Vëllaznimi nuk është llogaritur shumë para fillimit të edicionit, por ardhja e amerikaneve, që paguhen qindra dollarë në muaj, ka ndryshuar situatën.

Natyrisht meritat për këtë start të furishëm të ekipit gjakovar i kanë basketbollistet amerikane që së bashku kanë shënuar 178 prej 262 pikëve në total të Vëllaznimit.

Dominimin e amerikaneve të Vëllaznimit duket se nuk e kanë pritur mirë të gjitha ekipet kundërshtare. Në ndeshjen e fundit, atë ndaj Penzës, që gjakovaret e fituan me shifrat 82:59, Vëllaznimi është ankuar se amerikanet janë fyer në baza racore nga lojtaret kundërshtare.

Madje për këtë ka reaguar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), saktësisht komesari i garave, Faton Kurshumlija. Ky i fundit nëpërmjet një emaili ka paralajmëruar skuadrat e femrave dhe ka autorizuar arbitrat që në momentin që dëgjojnë ndonjë fyerje raciste, menjëherë të reagojnë në të kundërtën do të merren masa ndaj tyre. Ai ka shkruar se me keqardhje është njoftuar se në ndeshjet e Superligës së femrave po përdoren ofendime në baza racore ndaj lojtareve nga basketbollistet vendore, gjë që është rreptësishtë e ndaluar sipas propozicioneve të garave të FBK-së.

Edhe Dallimi që bëjnë dy amerikane: klubi që mendonte largimin nga garat tani kërkon titullin Sport Dallimi që bëjnë dy amerikane: klubi që mendonte largimin nga garat tani kërkon titullin

Sipas emailit, arbitrat janë të autorizuar që në rastin e parë të një ofendimi racor, automatikisht të diskualifikojnë lojtaren që duhet patjetër të paraqitet në raportin e ndeshjes për ofendimet ndaj lojtares së huaj.

Kurshumlija ka pranuar për KOHËN se ka sinjale që ka pasur fyerje raciste në ndeshjen e luajtur në Gjakovë, në bazë të raportit final, ndonëse si Vëllaznimi ashtu edhe Penza kanë dërguar versionet e tyre. Ai beson se prej xhiros së katërt që do të luhet këtë fundjavë, nuk do të ketë sjellje të tilla ndaj lojtareve të huaja, të cilat sipas tij këtë edicion e kanë ngritur dukshëm cilësinë në elitën e basketbollit të femrave.

“Ne nuk duam të kemi çështje të tilla, sidomos te femrat për shkak se këtë edicion po besojmë se cilësia është rritur me numrin e madh të amerikaneve që janë nëpër ekipe. Ka indikacione që ka pasur fyerje në baza racore dhe kemi reaguar menjëherë për të evituar një gjë të tillë për ndeshjet tjera pasi është rreptësishtë e ndaluar. Të gjitha klubet e femrave tashmë janë paralajmëruar dhe jam i bindur se nuk do të ketë gjëra të tilla për shkak se janë autorizuar gjyqtarët për të vepruar menjëherë duke diskualifikuar ato që fyejnë. Krahas diskualifikimit do të ketë edhe dënime tjera”, është shprehur Kurshumlija.

“Fyerjet e tilla nuk i tolerojmë as te meshkujt, që në fakt nuk ka pasur, dhe besoj se ekipet e femrave tashmë e kanë kuptuar paralajmërimin. Gjyqtarët do të mund shumë lehtë të identifikojnë atë që fyen në baza racore për shkak se nuk ka shikues si pasojë e situatës me pandeminë. Po besoj se kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit në ligën e femrave”.

Në fakt, Vëllaznimi së bashku me Bashkimin janë ekipet e vetme këtë edicion që i kanë fituar të gjitha ndeshjet në Superligën e femrave dhe ndajnë dy pozitat e para në tabelë me nga gjashtë pikë të tubuara. Para Penzës, skuadra e Vëllaznimit ka mposhtur edhe Prishtinën dhe Kastriotin. Në elitën e basketbollit të femrave këtë edicion po luajnë pesë lojtare amerikane, që është numri më i madh i tyre ndonjëherë. Krahas Vëllaznimit, lojtare të huaja ka edhe Bashkimi (LeJzae Davidson e Jaleesa Avery) si dhe skuadra e Kastriotit (Amani Alexander). Ndërkohë, Alexis Tolefree pritet t’i bashkohet skuadrës së Prishtinës në fillim të vitit të ardhshëm.

Edhe Tjetër goditje për Vëllaznimin – sanksionohet nga BAT-i Basketboll Tjetër goditje për Vëllaznimin – sanksionohet nga BAT-i

Në ndeshjen e parë, Vëllaznimi e mposhti Kastriotin (100:51). Northcross-Baker kishte 33 pikë e 11 kërcime, kurse Mgbeike kontribuoi me 30 pikë e 18 kërcime. Ndaj Prishtinës favorite, Vëllaznimi fitoi 80:67. Mgbeike kishte 28 pikë e 25 kërcime, kurse Northcross-Baker realizoi 28 pikë e 7 kërcime. Në ndeshjen ndaj Penzës, Vëllaznimi fitoi 82:59. Shifrat e amerikaneve prapë ishin fantastike: Northcross-Baker kishte 32 pikë e 16 kërcime kurse Mgbeike kishte 27 pikë, 23 kërcime e 10 bllokada.

Statistika të tilla nuk ka asnjë basketbollist aktualisht në Kosovë.