Sport

Driton Kuka, trajneri i vetëm në takimin e nivelit më të lartë të xhudos

Këtë javë në Olbia të Italisë është mbajtur një takim i drejtuesve më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Është diskutuar për rregullat e xhudos për ciklin e ardhshëm olimpik, atë për “Parisi 2024”. Në takimin e thirrur nga presidenti i IJF-së, Marius Vizer, ishin anëtarët e Bordit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare, udhëheqësi i Institutit të xhudos Kodokan, kryetarja e Komisionit të Sportistëve dhe trajneri i Kosovës, Driton Kuka. Kuka ishte i vetmi trajner botëror në takimin ku u vendos për ndryshimet në rregulla dhe ku prezent ishin njerëzit vendimmarrës të këtij sporti.

Image

“Rregullat kanë ndryshuar pak. Janë bërë disa përmirësime ku është vlerësuar se ka nevojë. Natyrisht, si i vetmi trajner në takim, kam dhënë kontributin në të mirë të xhudos, që sporti ynë të bëhet edhe më interesant dhe më i pranueshëm për masën. Mund të them që trajtimi ndaj meje ishte shumë i mirë. Është përkrahur çdo ide e imja”, ka thënë Kuka të premten për KOHËN.

“Ishte përvojë e veçantë. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë të mundshëm. Isha pjesë aktive e diskutimeve ku flitet për rrugën e sportit tonë në të ardhmen”, ka shtuar Driton Kuka, i njohur gjerësisht tashmë si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë në sportin e xhudos.

Njohjet për Kukën tashmë po vijnë edhe nga asociacionet ndërkombëtare. Ai është nderuar me ftesë nga IJF-ja për këtë takim, ndërsa prej vitit të kaluar është pjesë e Komisionit të trajnerëve në Unionin Evropian të xhudos.

Nxënësit e Kukës kanë fituar të gjitha medaljet e mundshme në nivelin superior. Ndër të tjera i kanë tri medalje të arta olimpike.