Me sukseset që ka arritur në dekadën e fundit, Driton Kuka tashmë është prej trajnerëve më të suksesshëm të xhudos në botë. Nxënësit e Kukës kanë fituar krejt çka mund të fitohet në xhudo, aktualisht sportin më të zhvilluar olimpik luftarak. Madje Kuka si trajner i ka tri medalje të arta olimpike, që jo shumë trajnerë i kanë.
Mirënjohjet dhe vlerësimet për Kukën janë gjithnjë e më të mëdha. Ai, ndër të tjera, e ka simpatinë dhe përkrahjen e plotë të Marius Vizerit, presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Dhe pikërisht me kërkesë të Vizerit, mik i madh i Kosovës, Kuka së fundi është përfshirë në një grup ku janë vetëm ekspertët më të mëdhenj të xhudos botërore. Ai është pjesë e panelit që do të vendosë për rregullat e xhudos për ciklin e ardhshëm olimpik.
IJF-ja, në bazë të trendëve dhe kërkesave të komunitetit të xhudos, bën ndryshime të rregullave të xhudos për secilin cikël olimpik. Synimi është që xhudoja të rritet tutje si sport dhe të bëhet më atraktive.
Pas përfundimit të lojërave olimpike “Tokio 2020”, IJF-ja po përgatitet për të bërë ndryshimet e nevojshme në rregulla për “Parisi 2024”.
Kuka është ftuar në një takim të ekspertëve që mbahet në Olbia të Italisë më 12 tetor. Fillimisht në Olbia mbahet Botërori i juniorëve, ku Kosova merr pjesë me Erza Muminoviqin dhe Fationa Kasapin. Kuka fillimisht do t’i udhëheqë ato dhe do të synojë medaljen e radhës. Dhe më pas do të ulet me ekspertët e xhudos për të vendosur se cilat rregulla duhet të ndryshohen për ciklin e ardhshëm olimpik.
Ftesa e Vizerit tashmë i ka ardhur trajnerit Kuka.
“Presidenti Vizer dëshiron t’ju ftojë në takimin e IJF-së lidhur me rregullat e reja për ciklin e ri olimpik. Takimi do të mbahet në Olbia më 12 tetor, pas Kampionatit Botëror të xhudos për juniorë”, thuhet në letrën e zyrës së IJF-së.
Vizer ka hapur dyert e mëdha për xhudon kosovare. Ka bërë të mundur pranimin e Kosovës në IJF dhe vlerësohet prej më meritorëve për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ai viziton shpesh Kosovën. Vizitën e ardhshme do ta ketë më 28 shtator, kur përurohet Qendra Nacionale e Kosovës për xhudo në Pejë.
Trajneri Driton Kuka tashmë është pjesë e rëndësishme e Komisionit të Trajnerëve të Unionit Evropian të Xhudos.
Kuka aktualisht është në kulmin e karrierës. Dy nxënëset e tij, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, kanë fituar medalje të arta në lojërat olimpike “Tokio 2020”.