Sport

Drita synon ndriçimin në pranverë

Trajneri Ardian Nuhiu ishte i qetë kur po u fliste futbollistëve. Të qetë ishin edhe futbollistët e Dritës që po e dëgjonin trajnerin në stërvitjen e radhës përgatitore për stinorin pranveror, të cilën e zhvilluan të mërkurën në një sallë të mbyllur në Gjilan. Por, kur trajneri shkupjan kërkonte nga futbollistët e tij t’i përmbaheshin detyrave në stërvitje, e ngrinte pak tonin e zërit. Për lojtarët ishte e kuptueshme, meqë synimin e kanë të përbashkët.

Nuhiu dhe futbollistët synojnë titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar. Në stërvitje nuk mungoi asnjë futbollist. Nuhiu shpreson ta ketë të kompletuar ekipin edhe në stinorin pranveror që është paraparë të nisë në mes të muajit shkurt.

“Me datën 5 janar kemi filluar stërvitjet. Por, para se të fillonim, futbollistët kanë pasur një planprogram. Kanë punuar para se të fillojmë që të jenë sa më të gatshëm. Gjithçka po shkon sipas planit. Dua t’i falënderoj futbollistët për përkushtimin dhe mënyrën se si janë përgjigjur. Është e vështirë faza përgatitore tani, por jam i kënaqur me gjendjen e tyre dhe mënyrën se si po ecin gjërat. Gradualisht shkojmë duke e rritur intensitetin”, tha për KOHËN trajneri Nuhiu.

I pari i skuadrës “bardhekaltër” e di mirë se gara për titull do të jetë shumë e vështirë. Por, beson në cilësinë e grupit. Sipas tij, ardhja e lojtarëve të rinj në verë do të japë frytet e veta në stinorin pranveror që nis në mesin e muajit shkurt.

“Pretendimet kanë qenë që nga dita e parë kur jemi futur në kampionat, të luftojmë për kreun e tabelës. Do të luftojmë për ta fituar titullin. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë sepse kemi skuadra të cilat gjithashtu e kërkojnë titullin dhe pjesën e sipërme të tabelës. Do të jetë garë e ngushtë deri në fund të kampionatit. Të them të drejtën, ngushtë siç ka qenë pjesa e parë e sezonit. Kemi pasur një kampionat shumë të fortë. Çdo skuadër ka befasuar gjithsecilën. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë, të futemi në kampionat sa më të përgatitur dhe të jemi gati të reagojmë para çdo sfide që na del përpara”, theksoi Nuhiu.

Nënkampionia e vjeshtës në pranverë do të paraqitet pa Erjon Vucajn, Agim Zekën e Betim Haxhimusën. Por, te Drita pritet të ketë edhe prurje të reja, ndonëse insistojnë se edhe me këtë fond të lojtarëve mund të jenë konkurrentë të fortë për titull të kampionit. Megjithatë, pranojnë se do të jetë një garë e vështirë. Se do të jetë vështirë gara për titull e pranon edhe portieri Faton Maloku. Shtatlarti i Dritës është një prej meritorëve që skuadra e tij ka mbrojtjen më të fortë në ligë. Ka pranuar vetëm 11 gola.

“Nuk do të jetë e lehtë, jemi duke punuar në atë drejtim shumë. Ekipet janë forcuar shumë, që nga qershori madje. Nuk ka skuadra të lehta, të gjitha janë të forta. Do të jetë shumë vështirë. Besoj që do t’ia dalim mbanë”, deklaroi Maloku.

Se fuqia e Dritës mbështetet në grupin e bashkuar, e thotë edhe qendërmbrojtësi Ardian Cuculi.

“Çelësi i suksesit ka qenë i gjithë grupi. Mbrojtja fillon nga sulmi dhe gjithë së bashku kemi pësuar më pak gola. Shpresojmë edhe këtë kampionat ta vazhdojmë me këtë ritëm. Gjithmonë kur synon vendin e parë, kreun e tabelës dhe kur ke synime madhore, gjithmonë është e vështirë”, u shpreh mbrojtësi me përvojë.

Ish-sulmuesi i Trepçës '89, Arbnor Muja, tha se është i motivuar për të shpërthyer në stinorin pranveror. Ai thotë se ndihet mirë fizikisht dhe është gati ta japë kontributin e tij për të realizuar synimet me Dritën.

“Së pari shpresoj që të vazhdojmë si ekip me të njëjtin ritëm. Kam pasur ca luhatje të formës, por mendoj që tash jam në formën maksimale. Shpresoj ta jap më të mirën në sezonin e dytë. Besoj që ekipi është komponuar shumë mirë pas një sezoni të vështirë, por me përgatitje dhe gjithë lojtarët, mendoj që mund të jemi kandidat kryesor për titull”, përfundoi Muja.

Drita do të stërvitet në Gjilan deri më 16 janar. Më 17 janar do të udhëtojë në Antalia të Turqisë për të kryer fazën finale të përgatitjeve. Ka paraparë t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore. Por, para nisjes për në Turqi, Drita të shtunën do të luajë miqësore kundër Trepçës ‘89.