Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka hapur të martën procedurë disiplinore ndaj klubit të futbollit Drita. Në arsyetimin e KD-së thuhet se Drita lejoi drejtorin sportiv, Valon Zymberi të deklarohet për media nën masën e suspendimit.
Nga klubi Drita e po ashtu edhe Zymberi është kërkuar deklaratë shtesë nga Komisioni Disiplinor i shkallës së parë. Kryetar i KD-së është Metë Çeku, ndërsa anëtarë janë Avni Shala dhe Luan Salihu.
Sipas KD-së, Zymberi është deklaruar për media para ndeshjes që Drita e luajti ndaj Prishtinës fundjavën e shkuar, në kuadër të xhiros së 35-të. KD-ja në fund të muajit të kaluar ka dënuar Zymberin me pretendimin se ka shkelur Kodin e Mirësjelljes Sportive dhe Rregulloren Disiplinore me rastin e prononcimit për media.
Zymberi është gjobitur me 200 euro, ndërsa i është ndaluar kryerja e funksionit për gjashtë muaj. Gjashtë muaj është suspenduar edhe drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku. Më 28 prill, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mori vendim që Eroll Salihut t’i ndërpritet marrëdhënia e punës.
Salihu është dënuar, përkatësisht është përjashtuar nga puna për shkak të kritikave publike ndaj Agim Ademit dhe Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Organet e federatës kanë konstatuar se ai ka bërë shkelje disiplinore. Komisioni për Ankesa ka refuzuar edhe ankesën e Valon Zymberit, drejtorit sportiv të Dritës.