Skuadra e Dritës do të mbetet në krye të tabelës edhe pas xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Drita të premten e mposhti skuadrën e Ferizajt me rezultatin 2:0, në ndeshjen e luajtur në Gjilan, me të cilën edhe u hap xhiroja e 25-të.
Kastriot Rexha (49’), që realizoi nga penalltia, dhe Ardian Cuculi (77’), që realizoi me kokë, i siguruan tri pikët e radhës për skuadrën e trajnerit Ardian Nuhiu. Për Dritën kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara prejse kanë rifilluar garat në futbollin e Kosovës pas pezullimit shkaku i pandemisë së koronavirusit.
Me këtë fitore Drita mbetet në pozitën e parë në tabelë me 52 pikë, pesë më shumë se Prishtina (47) që është e dyta dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, Ferizaj që regjistroi humbjen e tretë rresht, mbetet në kuotën e 25 pikëve dhe zë vendin e dhjetë në tabelë, pozitë që dërgon në një rang më të ulët garash.
Në xhiron e ardhshme, Drita është mysafire e Vushtrrisë derisa Ferizaj e pret skuadrën e Ballkanit.