Ndeshja derbi ndërmjet Llapit e Dritës është shtyrë për ditën e diele.
Ky ballafaqim që i takon xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll, fillimisht ishte paraparë të luhej të shtunën.
Kjo ka bërë që skuadra gjilanase të reagojë ashpër kundër Federatës së Futbollit në faqen zyrtare.
“Shtyhet ndeshja për të dielën pa asnjë arsye. FC Drita shpreh shqetësimin sepse ndeshja e xhiros së 14-të e paraparë të zhvillohet të shtunën, është shtyrë pa ndonjë arsye për të dielën, 30 tetor. Kur kishin mbetur më pak se 48 orë para ndeshjes Llapi – Drita, vjen një njoftim në email se ndeshja është shtyrë nga Komisioni i Garave të FFK-së pa dhënë ndonjë sqarim, ku dihet se ndryshimet e orareve bëhen vetëm në raste të veçanta gjë për të cilën komisioni nuk ka pasur arsye në këtë rast. Në anën tjetër, klubi ynë ka bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e ndeshjes së paraparë për të shtunën dhe zhvendosje e ndryshime pa arsye tregojnë jo seriozitet ndaj garave. Veprime të tilla nuk i bëjnë aspak nder futbollit kosovar, duke treguar mos respekt ndaj klubeve dhe vet Superligës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Dritës.