Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Drita fiton në Vushtrri, barazon pikët me Ballkanin

Foto: FC Drita (arkiv)

Dritës së Gjilanit i ka takuar ndeshja e parë e xhiros së 19-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Të premten, Drita fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me shifrat 3:2. Me këtë fitore, Drita ka barazuar pikët me Ballkanin në krye të tabelës. Të dy skuadrat i kanë nga 37 pikë, ndërsa Drita del e para për shkak të goldallimit më të mirë. Ballkani e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Ndeshja në Vushtrri ishte me kthesa në rezultat. Drita kaloi në epërsi në minutën e 18-të, kur Izair Emini realizoi me goditje me kokë. Drilon Fazliu barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 31-të, ndërsa Drita ktheu epërsinë menjëherë në minutën e 35-të kur shënoi Erjon Vucaj, pas një gabimi të portierit vendas. Prap Vushtrria barazoi rezultatin (2:2) në minutën e 61-të, përmes Bler Istrefit. Fitoren gjilanasit e siguruan me golin e Kastriot Rexhës në minutën e 72-të. Vendasve iu është anuluar një gol në pjesën e parë.

Vushtrria mbetet e parafundit me vetëm 15 pikë të mbledhura.

Image