Klubi i futbollit Drenica ka reaguar ndaj gjyqtarit Genc Nuza. Në një reagim të publikuar të dielën, Drenica ka vlerësuar se Nuza ka qenë i njëanshëm në ndarje të drejtësisë në ndeshjen kundër Llapit. Llapi e fitoi të shtunën ndeshjen kundër Drenicës, në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në futboll.
“Reagimi jonë ka të bëjë me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari kryesor i kësaj ndeshjeje Genc Nuza, i cili nuk e dimë se çfarë ka kundër KF Drenicës dhe nuk e dimë çfarë i pengon atij KF Drenica. Sepse jo vetëm në këtë ndeshje, por në shumë ndeshje, kemi pasur vërejtje në këtë gjyqtar”, shkruan në fillim të reagimit.
Tutje thuhet se Nuza ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes.
“Qysh në fillim të ndeshjes u vërejt tendenca e gjyqtari Nuza, ku vazhdimisht bënte presion mbi lojtarët tanë, kurse ai vendosi që ta kryejë ‘punën’ qysh në minutën 11-të të ndeshjes, ku akordon një penallti totalisht inegzistente në favor të Llapit, dëshmi për këtë është edhe videoja që ia kemi bashkangjitur këtij reagimi”.
Drenica pretendon se gjyqtari Nuza ka dëmtuar ekipin në më shumë se dhjetë raste në vitet e fundit.
“Klubi, është duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të shkresës për të ndaluar delegimin e Genc Nuzës për ndeshjet e ardhshme që do t’i zhvilloj Drenica në kampionat. Ne shpresojmë që organet gjegjëse të FFK-së do të marrin masa ndaj gjyqtarit në fjalë, si dhe raste të tilla nuk do të përsëriten më në futbollin kosovar sepse janë duke ia humbur kuptimin kampionatit gjyqtarë të tillë të cilët përcaktojnë rezultatet e ndeshjeve në Superligë”, shkruan në reagim.