Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Drejtuesit e Chelseat kanë besim të madh në Brojën

Armando Broja ka të ardhme te Chelsea. Kjo është bërë e ditur të premten kur klubi i madh nga Londra ia ka ofruar kontratën e re.

Sulmuesi i Shqipërisë tani ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2028. Broja, që ende nuk i ka mbushur 21 vjet, është shprehur shumë i lumtur për kontratën e re.

“Mbetem pa fjalë vetëm duke menduar për këtë. Është klubi për të cilin gjatë gjithë jetës kam ëndërruar që të luaj, klubi që e përkrah dhe e dua. Kam qenë këtu prej se isha i vogël dhe është e pabesueshme për mua dhe familjen time”, ka thënë Broja për faqen zyrtare të Chelseat.

Kontrata e deritashme Brojës i skadonte në vitin 2026. Por Chelsea ka vendosur për kontratë të re me sulmuesin perspektiv.

“Të jem në gjendje ta vesh fanellën e kaltër për ndeshje të ekipit të parë është ëndërr e realizuar. Është e mahnitshme, pasi bëhet fjalë për një prej klubeve më të mëdha në botë. Ka gjithnjë konkurrencë dhe të gjithë duan të luajnë. Kështu që unë jam i lumtur që kam mundësinë të jem pjesë e kësaj. Shpresoj se do të luaj në shumë ndeshje dhe do të jem pjesë e suksesit të ekipit”, ka theksuar Broja.

Edhe Chelsea shpreson ta shesë në verë Brojën Sport Chelsea shpreson ta shesë në verë Brojën

Ai ka tri paraqitje për Chelsean këtë edicion në Premier League. Se mund të jetë i suksesshëm në kampionatin anglez e dëshmoi edicionin e kaluar, të cilin e kaloi huazim te Southamptoni. Ai ka shënuar nëntë gola në 38 paraqitje.

Edhe te Chelsea janë shprehur të lumtur për kontratën e re të Brojës.

“Jemi të lumtur që Armando Broja i është përkushtuar Chelseat. Ai është sulmues i ri, interesant dhe pjesë e madhe e planeve tona për të ardhmen”, ka theksuar kryetari i Chelseat, Todd Boehly.

Bashkëpronarët e tjerë, Behdad Eghbali dhe Jose Feliciano, kanë thënë: “Armando ka aq shumë talent dhe ne jemi të bindur se ai mund ta shfaqë te Chelsea. Ne mezi presim të shohim zhvillimin e tij në këtë edicion dhe edicionet e ardhshme”.

Broja më herët ishte i huazuar te Vitesse në Holandë. 11 golat e tij ndihmuan skuadrën që të përfundojë në vendin e katërt në kampionat dhe të arrijë në finale të Kupës së Holandës.

Edhe Broja firmos kontratë të re me Chelsean Sport Broja firmos kontratë të re me Chelsean

Ai është rritur te Chelsea, ndërsa vazhdimisht ka shënuar gola. Te Shqipëria tashmë i ka 15 paraqitje dhe ka shënuar katër gola.

Ka pasur raportime se Broja mund të kalojë te ndonjë skuadër tjetër. Por Chelsea ka vendosur ta mbajë. Dhe madje i ka ofruar kontratë të re. Kështu Broja konfirmohet lojtari shqiptar me potencialin më të madh aktualisht. Ai do të vazhdojë të luajë për njërin prej klubeve më të mëdha në botë.