Interi ka fituar dramën e vërtetë që u zhvillua në “Giuseppe Meazza”.
Të shtunën pasdite, Zikaltërit triumfuan 2:1 ndaj Veronas, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të të Serie A.
Në fakt, Interi kaloi në epërsi qysh në minutën e 13-të me Lautaro Martinezin. Argjentinasit iu anulua një gol në fillim të pjesës së dytë për shkak të pozicionit jashtë loje.
Dhe mysafirët befasuan në minutën e 74-t duke barazuar rezultatin me Thomaso Henryn, i cili në fund do të bëhej fytyra tragjike e ndeshjes.
Interi shënoi golin e epërsisë në minutën e katërt të shtesës me Davide Frattesin.
Dhe këtu filloi drama.
Fillimisht, Nicolo Barella i Interit huqi rast të artë me portën bosh për ta siguruar fitoren, para se VAR-i të ndërhynte dhe të akordonte penallti për Veronan.
Nga 11-metërshi gaboi Thomaso Henry, i cili goditi shtyllën.
Interi vijon të mbetet në pozitën e parë me 48 pikë, pesë më shumë se Juventusi që ka një ndeshje më pak.
Verona është e 18-ta me 14 pikë.