Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dragomir: Baneri shpëtoi përfaqësuesen e Rumanisë

Mediat në Rumani vazhdojnë t’i kushtojnë shumë rëndësi ndeshjes me Kosovën dhe zhvillimeve të së martës mbrëma në Bukuresht.

Ish-udhëheqësi i ligës profesionale rumune, Dumitru Dragomir ka thënë se baneri i shfaqur nga “Uniti sub tricolor” ka shpëtuar përfaqësuesen e Rumanisë. Rumania fitoi 2:0, pasi ndeshja u ndërpre për 50 minuta për shkak të shfaqjes së banerit “Kosova është Serbi”.

“Baneri na shpëtoi. Nuk do t’i mposhtnim nëse nuk do t’i nxjerrnim nga koncentrimi. Nëse nuk do të bëhej ‘panorama’ që u bë nuk do t’i mposhtnim edhe sikur të luanim dy javë. Do të na suspendojnë, por nuk kanë një paragraf për një gjë të tillë. Do ta lidhin me ksenofobi”, ka thënë Dragomir për “fanatik.ro”.

“Në vendin e parë është referimi, në të dytin publiku në përgjithësi ka notën nëntë, jo ata që bënë parregullsi në stadium. Në vendin e tretë është Edi Iordanescu për ndryshimet që bëri, pasi ekipi startues ishte gabim. Dhe në vendin e katërt është ekipi. Është mirë që ndodhi ajo që ndodhi, pasi i kemi mërzitur, i nxorëm nga ritmi dhe ky ishte avantazhi ynë”, ka shtuar ky drejtues rumun.

Dragomir ka thënë se policia bëri mirë që nuk largoi huliganët nga stadiumi. Ai ka vlerësuar se rreziku do të ishte i madh që Rumania të humbte ndeshjen me rezultat 3:0, nëse tifozët do të largoheshin nga stadiumi, për shkak të asaj që do të mund të ndodhte më pas.