Sport

“Dorëzohet” KB Prishtina, Mullaomeroviq e Azemi thonë se gjasat për të kaluar tutje janë të vogla

Tri humbje në katër ndeshje të fazës së dytë të garave në FIBA Europe Cup, kanë bërë që Prishtina të ketë shumë pak gjasa që të kalojë në raundin tjetër.

Deri në fund, “bardhekaltrit” do t’i luajnë edhe dy ndeshje, raporton KTV.

Së pari, janë mysafirë të Shollnokit, kurse takimin e fundit e luajnë në Prishtinë ndaj Pinar Karshiakas.

Për të kaluar tutje, Prishtina duhet ta fitojë ndeshjen me Shollnokin, të cilin ekip e ka mposhtur një herë në kryeqytet, e, në anën tjetër, Pinari duhet të humbasë ndaj Wyrcburgut.

Nëse matematika ecën sipas planit të Prishtinës, në ndeshjen e fundit, ekipi më i trofeshëm në basketbollin e Kosovës, duhet ta mposhtë Pinarin me plus 23 pikë epërsi, gjë e cila duket të jetë shumë e vështirë edhe për trajnerin Damir Mullaomeroviqi, si dhe kapitenin Edmond Azemi, të cilët e pranojnë se gjasat janë minimale.

“Teorikisht, ndoshta kemi ende gjasa. Por, kjo humbje dhe humbja që e kishim pësuar ndaj Karshiakës, duhet tani që Pinari ta humbë me shumë pikë. Kështu që, nëse edhe kemi gjasa, ato janë minimale”, ka thënë Mullaomeroviq.

Duelin me Shollnokin, Prishtina e luan me 30 janar, kurse të fundit kundër Pinar Karshiakas, më 6 shkurt.