Portieri italian Gianluigi Donnarumma është shprehur i lumtur që do të jetë pjesë e skuadrës së Paris Saint-Germainit. PSG-ja, të mërkurën e ka zyrtarizuar transferimin e Donnarummas, i cili iu bashkua si lojtar i lirë pasi kontrata me Milanin i skadoi muajin e shkuar.
Ai me klubin e ri, ka firmosur kontratë pesëvjeçare dhe ka një pagë vjetore mbi 12 milionë euro.
“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e një klubi të madh si Paris Saint-Germaini. Ndihem i gatshëm për këtë sfidë, dhe besoj se te Parisi do të zhvillohem edhe më shumë. Me PSG-në, dua të fitoj sa më shumë trofe dhe t’i gëzojmë tifozët”, është shprehur Donnarumma, i cili u shpall lojtari më i mirë i “Euro 2020”, turne të cilin e fitoi me Italianë.
Ndërkohë, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka thënë se ndihet i nderuar që Donnarumma do të jetë pjesë e klubit të tij.
“Jemi të lumtur ta mirëpresim Gianluigi Donnarumman te Paris Saint-Germaini. E përgëzojmë për titullin e fituar me Italinë si dhe titullin e tij si lojtari më i mirë i turneut. E di që Gianluigi do të pranohet ngrohtësisht nga të gjithë në klub, përfshirë bashkëlojtarët, stafin dhe të gjithë përkrahësit e Parisit”, ka thënë ai.