Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, ka pësuar humbje të enjten nga boksierja nga Kazakistani, Karina Ibragimova. Sadiku e Ibragimova janë përballur në gjysmëfinale të turneut të madh ndërkombëtar, “Strangja” në Sofje të Bullgarisë. Meçi ishte i vlefshëm për kategorinë deri 60 kilogramë.
Por vendimi për të shpallur fituese boksieren nga Kazakistani është kontestuar fuqishëm nga Federata e Boksit e Kosovës. Sipas një njoftimi të saj, fitorja është dashur t’i takoj Donjetës.
“Donjeta Sadiku tregoi boks luftarak gjatë tri raundeve dhe sulmoi boksieren Ibragimova me goditje të njëpasnjëshme. Në raundin e tretë detyroi referin në ring që t’i numëroj boksieres nga Kazakistani dhe ta pushoj atë. Gjithë kohën Donjeta ishte në epërsi, e sidomos në raundet dy dhe tre. Pas përfundimit të duelit, dora si fituese iu ngrit Donjeta Sadikut, por për çudi menjëherë ndryshohet vendimi dhe fituese shpallet boksierja nga Kazakistani”, ka njoftuar FBOXK.
“Edhe pse Donjeta humbi, tregoi se është në formë të mirë dhe e gatshme për kualifikimet për Lojërat Olimpike në Tokio”.