Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, e ka fituar meçin e parë në turneun ndërkombëtar “Strangja” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Donjeta boksoi të hënën në kategorinë deri 60 kilogramë, ndërsa e mposhti garuesen nga Mongolia Namuun Monkhor.
Meçi ishte i fortë, ndërsa Donjeta fitoi me rezultatin 4:1.
“Strangja” po zhvillohet për herë të 75-të. Është turneu më i vjetër në Evropë. Po garojnë 178 boksierë nga 28 shtete të ndryshme.
Në kategorinë e lehtë (60 kg) janë 15 boksiere. Donjeta vazhdon garimin në çerekfinale.
Të dielën ka garuar Bashkim Bajoku në kategorinë deri 54 kg. Ai pësoi 5:0 nga Khujanazar Nrotjiev i Uzbekistanit.
Kosovën në turneun e madh në Sofje e përfaqësojnë edhe disa boksierë. Të mërkurën bokson Loris Idrizi, ndërsa të enjten Taulant Jakupi.
Edhe
Donjeta e lumtur për fitoren ndaj kampiones së botës
Boksieri më i mirë në vend, Shpëtim Bajoku mungon në “Strangja” për shkak të një lëndimi.
Turneu në Bullgari shërben si përgatitje për turneun kualifikues botëror për Lojërat Olimpike “Parisi 2024” që mbahet prej 29 shkurtit deri më 12 mars në Busto Arsizio të Italisë.
Kosova ende nuk ka normë olimpike në sportin e boksit. Gjasat më të mëdha vlerësohet se i kanë Donjeta Sadiku dhe Shpëtim Bajoku. Turneu i dytë dhe i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike mbahet prej 23 majit deri më 3 qershor në Bangkok të Tajlandës.