Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dominimi i klubeve braziliane në Copa Libertadores karshi vendeve tjera të Amerikës së Jugut

Ndërsa Përfaqësuesja e Brazilit po ecën me hapa të sigurt drejt kualifikimit në Kampionatin Botëror “Katari 2022” me një rekord fantastik prej tetë fitoreve në po aq ndeshje eliminatore të Amerikës së Jugut, klubet e vendit po dominojnë në Copa Libertadores duke shfrytëzuar fuqinë e tyre financiare të pakrahasueshme në kontinent dhe një brez të talenteve të reja.

Për herë të parë qëkur u krijua turneu i Ligës së Kampionëve në Amerikën e Jugut në vitin 1960, tri ekipe nga i njëjti vend ia kanë dalë të luanin në gjysmëfinale të Copa Libertadores. Në vitin 1966 treshja nga Argjentina, River Plate, Boca Juniors dhe Independiente morën pjesë në fazën gjysmëfinale, por kjo u nda në grupe dhe kështu nuk mund të krahasohet me edicionin 2021 të kësaj gare. Gjysmëfinalet e këtij sezoni fillojnë javën e ardhshme, me ndeshjen e parë mes skuadrave nga Brazili, Palmeiras dhe Atletico Mineiro që luhet në Sao Paulo të martën, e përcjellë të mërkurën nga gjysmëfinalja e dytë, në të cilën Flamengo e pret Barcelonën e Ekuadorit në stadiumin “Maracana”.

Nëse Flamengo, gjiganti nga Rio de Janeiro që fitoi Copa Libertadores në vitin 2019, kalon në finale që luhet në Montevideo më 27 nëntor, do të jetë një përballje tjetër braziliane, ashtu siç ishte vitin e kaluar kur Palmeiras e mposhti Santosin. Popullsia e Brazilit prej mbi 200 milionë banorësh është pothuajse gjysma e të gjithë kontinentit dhe kështu nuk është befasi që ekipet e këtij vendi po kanë sukses në këtë garë, por ka shpjegime të tjera për epërsinë aktuale të shtetit.

“Futbolli brazilian po evoluon, lojtarët kryesorë po kthehen në vend dhe liga po bëhet gjithnjë e më konkurruese”, tha mesfushori brazilian Lucas Paqueta, që më parë ka luajtur të Flamengo dhe tani është pjesë e ekipit nga Ligue 1, Lyonit.

Lojtarët e mëdhenj brazilianë janë kthyer në kategorinë e parë, Brasileirao, me Atletico Mineiron që riktheu sulmuesin Hulk në fillim të këtij viti dhe muajin e kaluar nënshkroi me ish-sulmuesin e Atletico Madridin, Diego Costan, një lojtar i Spanjës, por i lindur në Brazil. Qendërmbrojtësi David Luiz, i liruar nga Arsenali, është kthyer në shtëpi për të nënshkruar me Flamengon. Ish-ylli i Chelseat dhe Arsenalit, mesfushori Willian është kthyer te Corinthiansi. Këta ish-lojtarë të Brazilit kanë paga të mëdha, para që klubet me probleme financiare në vendet e tjera në Amerikën e Jugut nuk mund as t’i ëndërrojnë për t’ia dhënë një futbollisti.

Edhe Flamengo e Palmeiras në finale të “Copa Libertadores” Futboll Flamengo e Palmeiras në finale të “Copa Libertadores”

“Klubet braziliane mund të tërheqin lojtarë të mëdhenj, sepse mund të paguajnë shumë më tepër para”, thotë Leonardo Bertozzi, një komentator i futbollit në Brazil.

Ky aspekt financiar i klubeve braziliane mund të shpjegohet pjesërisht nga ndryshimi në marrëveshjet e të drejtave televizive në Brazil në krahasim me vendet fqinje - në vitin 2019 ekipet braziliane të nivelit të lartë kapën 250 milionë euro, ndërsa shifra ishte vetëm 91 milionë euro në Argjentinë. Në dekadën e fundit ekipet braziliane kanë shpenzuar 800 milionë euro në tregun e transferimeve, pothuajse dyfishin e shumës së investuar nga klubet në Argjentinë, që mbetet kombi më i suksesshëm në historinë e Copa Libertadores me 25 tituj të fituar, pesë më shumë se Brazili.

“Klubet e tjera në Amerikën e Jugut nuk mund të konkurrojnë me ato të Brazilit. Një nga shembujt më të mirë ishte kur Atletico Mineiro e transferon Ignacio Fernandezin nga River Plate”, shton Bertozzi për lojtarin argjentinas 31-vjeçar, i cili u transferua në Belo Horizonte në muajin shkurt.

Shumica e klubeve në Brazil kanë borxhe të mëdha, por ato ende mund të përballojnë blerjen e talenteve nga vendet fqinje dhe këta lojtarë shpesh shiten më pas me fitim të madh në Evropë. Duke pasur parasysh popullsinë e tij, gjithashtu nuk është për t'u habitur që vendi ende prodhon shumë talente. Brazili është nga distanca eksportuesi më i madh i futbollistëve në botë me rreth 1.300 lojtarë që transferohen jashtë vendit sipas Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, me bazë në Neuchatel të Zvicrës.

“Brazili ka pasur gjithmonë një grup të pasur lojtarësh, pavarësisht nëse ata luajnë në shtëpi apo në Evropë”, thekson Alex Sandro, mbrojtësi i Juventusit dhe Brazilit.

Palmeirasi triumfoi në Copa Libertadores vitin e kaluar kryesisht falë talenteve të reja si Gabriel Menino, Danilo dhe Patrick de Paula. Skuadra e Atletico Mineiro në radhët e veta ka kampionin olimpik, brazilianin 24-vjeçar Guilherme Arana, ndërsa Flamendo e ka Pedron. Të dy kanë moshën e njëjtë.

Edhe Futbolli i Brazilit dominon në “Copa Libertadores” Sport Futbolli i Brazilit dominon në “Copa Libertadores”

Prej dhjetë klubeve që kanë shitur më së shumti lojtarë në Amerikën e Jugut në dekadën e fundit gjashtë prej tyre janë nga Brazili. Paratë e fituara pastaj mund të riinvestohen në transferime të reja dhe në këtë mënyrë klubet braziliane e nisin përsëri një cikël tjetër.

“Mund të them se të gjithë po presin që ekipet braziliane të fitojnë shumicën e turneve të Amerikës së Jugut në vitet në vazhdim”, parashikoi Bertozzi.