Dnipro-1 dhe FC Oleksandriya kanë luajtur ndeshjen më të gjatë në histori të elitës së futbollit të Ukrainës. Ndeshja mes tyre përfundoi pas katër orëve e 36 minutave, pasi disa herë u ndezën alarmet për sulm të mundshëm ajror, raporton BBC.
Ndeshja që u zhvillua të hënën pasdite në “Dnipro Arena” në qytetin lindor ukrainas Dnipro, nisi me 15 minuta vonesë pasi u ndezën sirenat për sulm të mundshëm ajror.
Ekipi nikoqir kaloi në epërsi në minutën e 34-të, por lojtarët u detyruan ta braktisnin sërish fushën herët në pjesën e dytë. Skuadrat u desh të qëndronin në zhveshtore për afro një orë.
Oleksandriya shënoi menjëherë pas rifillimit të ndeshjes, por goli u anulua nga VAR-i.
Kur kishte mbetur një minutë deri në fund të kohës së rregullt, ndeshja sërish u ndërpre kësaj radhe për një orë e gjysmë, sërish pas aktivizimit të sirenave.
Edhe
Përfundon ndeshja që “zgjati” gati shtatë orë
Ndeshja përfundoi me fitore 1:0 të Dnipros. Ndeshja kishte nisur në orën 17:15 me kohë lokale dhe përfundoi në ora 22:00. Dnipro-1 me fitoren e shënuar ka mbetur në pozitën e dytë në Premier Leaguen e Ukrainës.
Mbrojtësi Eduard Sarapiy ka thënë për faqen zyrtare të klubit se ekipi ishte i vendosur ta përfundonte ndeshjen.
“Ne të gjithë donim të luanim ndeshjen. Dolëm në fushë dhe donim ta përfundonim ndeshjen me fitore”, ka thënë Sarapiy.
Premier League e Ukrainës ka thënë për BBC-në se ishte ndeshja më e gjatë në histori të ligës.
Edhe
Më shumë alarme për bomba se gola në ndeshjen e Krasniqit në Ukrainë
“Ndeshja zgjati 4 orë e 36 minuta dhe është rekord i ri. Rekordi i kaluar ishte ndeshja e stinorit të kaluar mes FC Rukh dhe FC Metalist, që zgjati 4 orë e 27 minuta. Arsyeja edhe atëherë ishte e njëjtë, ndezja e alarmeve për sulme të mundshme ajrore”, është thënë nga Premier League e Ukrainës.
Dnipro është kthyer t’i luajë ndeshjet si vendas në “Dnipro Arena” në shtator, pasi fillimisht ishte zhvendosur në perëndim pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.