Prodhimi i pafund i talenteve të futbollit në Francë duket se ka nxjerrë në pah superyllin e tij të ardhshëm, mesfushorin e Paris Saint-Germainit, Warren Zaire-Emery, i cili u ftua për herë të parë nga përfaqësuesja A të enjten. Zaire-Emery është vetëm 17 vjeç e tetë muajsh dhe nëse luan për ekipin e selektorit Didier Deschamps në njërën nga ndeshjet e fundit kualifikuese për “Euro 2024” kundër Gjibraltarit apo Greqisë, ai do të bëhet lojtari më i ri i Francës që para Luftës së Parë Botërore. Ky rekord mbahet nga mesfushori i Real Madridit, Eduardo Camavinga, i cili debutoi te Franca me 17 vjeç e nëntë muaj në shtator të vitit 2020. Edhe Kylian Mbappe ishte 18 vjeç kur bëri debutimin e tij.
Rritja e Zaire-Emeryt ka qenë e jashtëzakonshme, pasi ai bëri debutimin e tij me ekipin e parë të PSG-së në ditën e hapjes së edicionit të kaluar, në muajin gusht të vitit 2022 me 16 vjeç e pesë muaj. Atë natë në Clermont-Ferrand, teksa u shfaq nga bankina për t'u bashkuar me Neymarin dhe Lionel Messin në fushë, ai u bë lojtari më i ri që përfaqësoi PSG-në. Deri në fund të edicionit të kaluar ai ishte duke filluar rregullisht për skuadrën e mbështetur nga Katari. Nuk ka munguar pothuajse asnjë ndeshje këtë edicion nën drejtimin e trajnerit të ri Luis Enrique. Te kampioni i Francës thuhet se shpresojnë që ylli i tyre të zgjasë kontratën e tij, e cila aktualisht i skadon në vitin 2025.
“Warren është agresiv, i mirë teknikisht, ka vizion të mirë, mund të shënojë gola dhe të asistojë. Ai është shembulli i përsosur për të gjithë fëmijët e vegjël në akademinë e PSG-së që duan të jenë futbollistë dhe duan të arrijnë në nivelin më të lartë”, ka pranuar Enrique për Zaire-Emeryn, i cili u zgjodh lojtar i ndeshjes muajin e shkuar në Ligën e Kampionëve kundër Milanit.
Deschamps, i cili nuk ndjek rregullisht ndeshjet e klubeve, ishte në tribunat e stadiumit “Parc des Princes” atë natë dhe që nga ai moment dukej e pashmangshme që Zaire-Emery të merrte ftesën nga Franca. Avancimi i tij në sulm nga mesfusha vendosi dy gola atë natë. Që atëherë, ai ka shënuar vazhdimisht në ndeshjet e Ligue 1 për PSG-në dhe nuk ka frikë të bëjë hapin e madh, të debutojë me fanellën e Francës.
“Unë mendoj se është një objektiv për të gjithë, por nuk jam duke menduar për debutimin. Unë thjesht po bëj punën time dhe po punoj shumë për të arritur deri te debutimi”, tha Warren-Zaire.
I lindur në Montreuil, në periferitë lindore të Parisit, Zaire-Emery është djali i një futbollisti - babai i tij, Franck Emery, luajti për skuadrën lokale Red Star përpara se të bëhej në trajner. Zaire-Emery filloi të luante në moshën katërvjeçare. Nuk kaloi shumë kohë para se te merret nga PSG-ja, klubi që ai e mbështeti si djalë i vogël. Ai luajti në ekipin e Francës që fitoi Kampionatin Evropian U17 në Izrael vitin e kaluar. Pas atij turneu ai nënshkroi kontratë profesionale me PSG-në. Në muajin shtator, ai bëri debutimin te Franca U21 dhe selektori Thierry Henry e bëri menjëherë kapiten, pavarësisht se ishte lojtari më i ri në ekip. Henry, i cili bëri debutimin e tij për “Les Bleus” në moshën 20 vjeç, është jashtëzakonisht i emocionuar për Zaire-Emery, edhe nëse rrezikon ta humbasë atë nga skuadra U21.
“Ai është i mrekullueshëm. Unë kurrë nuk kam parë një lojtar kaq të ri të jetë kaq i pjekur”, tha Henry.
“Ia dhashë shiritin për të ditur nëse ai mund të drejtonte ekipin dhe të fliste. Kjo ishte mënyra ime për të parë nëse ai mund ta bënte këtë, dhe më besoni, ai mundet. Ky djalë nuk ka kufij”.