Fundjava ishte dëshpëruese për Kosovën në Lojëra Mesdhetare. Sidomos të dielën, sportistët kosovarë kishin vetëm dështime.
Të hënën, në ditën e pestë të garave, Kosova në “Taranto 2026” paraqitet në shumë sporte. Në sporte ekipore do të shpresohet në fitore në volejboll, hendboll e futboll. Në sporte individuale garohet në boks, not, mundje, çiklizëm e disa sporte tjera.
Kosova sot mund ta sigurojë medaljen e parë. Boksierja Donjeta Sadiku fillon garimin në çerekfinale.
Me fitore avancon në gjysmëfinale dhe siguron të paktën medaljen e bronztë.
LM, Kosova mposhtet nga Shqipëria
Pas humbjes nga Algjeria në futboll, Kosova U21 ka pësuar tjetër disfatë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kosova U21 të hënën mbrëma u mposht nga Shqipëria U21 me rezultatin 3:1.
Nga Algjeria, “Dardanët” e rinj kishin pësuar disfatë me rezultatin 2:1. Golat për Shqipërinë i realizuan Ersi Bode, Valentin Daja dhe Arlind Leshi.
Në Grupin B pos Shqipërisë U21 dhe Algjerisë është edhe Italia.
Sadiku: Dua medaljen e artë
Donjeta Sadiku të hënën ia siguroi Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Donjeta në çerekfinale në kategorinë deri në 60 kilogramë fitoi ndaj turkes Esmanur Lok.
Donjeta është shprehur për KosovaPress se tashmë e synon medaljen e artë.
Donjeta gjithashtu ka falënderuar trajneren e saj, Marjola Sallaukën, sportistët e tjerë për mbështetjen e dhënë nga tribunat.
“Meçi ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar së bashku me trajneren time, Marjola Sallauka, të cilën e falënderoj shumë. Po ashtu e falënderoj të gjithë sportistët e tjerë dhe gjithë komunitetin e Kosovës që kanë qenë në sallë, të cilët më kanë dhanë një mbështetje shumë të madhe dhe kanë qenë një shtytje shumë e madhe për mua. Unë kam ardhur këtu për një synim tjetër, që të siguroj medaljen e artë, kështu që nuk i gëzohem edhe aq shumë kësaj medalje. Synimi im edhe qëllimi im është që të dëgjohet himni këtu në Taranto”, ka thënë Sadiku.
Në gjysmëfinale, të martën, Donjeta përballet me boksieren e Greqisë, Sofia Legaki.
Hajdari e Vejseli fitojnë medalje argjendi për Maqedoninë e Veriut
Dy mundësit shqiptarë nga Shkupi, Rexhep Hajdari e Fati Vejseli kanë fituar medalje të vlefshme në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Dy mundësit e Maqedonisë së Veriut fituan medalje të argjendta të hënën.
Hajdari pësoi 6:0 në finale të kategorisë deri 97 kilogramë në stil të lirë. Ai humbi nga Dauren Kurugliev i Greqisë. Kurugliev është nga Dagestani i Rusisë, kurse prej vitit 2023 garon për Greqinë.
Hajdari i shënoi dy fitore në Lojëra Mesdhetare.
Vejseli u lëndua dhe e humbi finalen në kategorinë deri 74 kilogramë. U mposht nga Islam Dudaev i Shqipërisë.
Vejseli i shënoi tri fitore në Taranto.
Maqedonia e Veriut e ka vetëm edhe një medalje të bronztë në Lojëra Mesdhetare. Atë e ka fituar Ahmad Magomedov, në mundje po ashtu. Magomedov po ashtu është i natyralizuar.
Dudaevi ia siguron Shqipërisë medaljen e parë të artë
Shqipëria tashmë ka medalje të artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Të artën e fitoi të hënën mundësi Islam Dudaev. Ai e mposhti mundësin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Fati Vejseli. Në fakt Vejseli u lëndua dhe kështu fitorja në finale të kategorisë deri 74 kilogramë në stil të lirë i takoi Dudaevit të Shqipërisë. Dudaevi ishte duke udhëhequr.
Dudaev është nga Dagestani i Rusisë, por prej vitit 2022 garon për Shqipërinë. Tashmë ka medalje të bronztë olimpike, medalje të artë e të bronztë evropiane dhe medalje të artë e të bronztë mesdhetare.
Për shqiptarin nga Shkupi, Vejseli, medalja e argjendtë është sukses i madh.
Mundësi tjetër i Shqipërisë, Zelimkhan Abakarov, që po ashtu është nga Dagestani, fitoi medalje të argjentë. Ai u mposht në finale të kategorisë deri 65 kilogramë, në stil të lirë. Humbi 4:2 nga Ahmet Duman i Turqisë.
Shqipëria e fitoi të dielën një medalje të bronztë në mundje, në stilin greko-roman. Tani i ka tri medalje në Lojëra Mesdhetare “Taranto 2026”.
Donjeta Sadiku ia siguron Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare "Taranto 2026"
Boksierja Donjeta Sadiku ia ka siguruar Kosovës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Donjeta në çerekfinale fitoi ndak turkes Esmanur Lok, të hënën pasdite.
Meçi i kategorisë deri 60 kilogramë ishte shumë i fortë. Donjeta dominoi në raundin e parë, por boksierja turke reagoi në të dytin. Në raundin e tretë janë shkëmbyer shumë goditje. Megjithatë goditje më të pastra dha boksierja kosovare që në fund fitoi me vendim të ndarë të gjyqtarëve, 4:1.
Emanur Lok kishte pëparësi në gjatësi, që e shfrytëzoi jo pak. Por në shprehje erdhi përvoja e boksieres kosovare.
Me kalim në gjysmëfinale, Donjeta e ka të sigurt të paktën medaljen e bronztë mesdhetare. Por do ta kërkojë të artën.
Në kategorinë deri 60 kilogramë janë vetëm gjashtë boksiere. Në gjysmëfinale, të martën, Donjeta përballet me boksieren e Greqisë, Sofia Legaki.
Në “Taranto 2026” kanë garuar edhe katër boksierë. Të gjithë i kanë humbur luftërat e para. Kështu Donjeta Sadiku vazhdon ta ruajë nderin e boksit kosovar.

Vetëm humbje edhe në badminton
Kosova të hënën u prezantua në Lojëra Mesdhetare edhe në sportin e badmintonit.
Nuk regjistroi ndonjë sukses.
Fillimisht Baton Haxhiu humbi 2:0 në sete nga garuesi i Kroacisë, Aria Dinata. 21:5 dhe 21:9 ishte rezultati. 2:0 në sete humbi edhe Suela Keka. Ajo pësoi 21:10 dhe 21:11 nga Jelena Bucheberger e Kroacisë.
Ekipi i Kosovës pësoi të shtunën edhe në miks.
Tre çiklistët e Kosovës nuk e përfundojnë garën
Tre çiklistët e Kosovës në Lojëra Mesdhetare e kishin një të përbashkët të hënën. Blerton Nuha, Albion Kastrati dhe Visar Nuhaj nuk i shkuan deri në fund garës rrugore në “Taranto 2026”.
Treshja e Kosovës ishte në mesin e 25 çiklistëve që nuk i shkoi shtegut deri në fund. Garën rrugore e përfunduan 26 çiklistë.
Kosova e përfundoi garën e çiklizmit në Lojëra Mesdhetare pa lënë asnjë gjurmë.
Humbje me 20 gola dallim e hendbollisteve të Kosovës
Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar humbje të thellë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2020”.
Të hënën pasdite, Kosova pësoi 40:20 nga Greqia.
Dallimi në cilësi ishte i madh dhe u bë i qartë që në pjesën e parë që përfundoi 19:6.
Më shumë se gola, hendbollistet kosovare kishin gabime teknike që ndikuan në humbjen e thellë.
Kosova humbi 35:20 nga Algjeria në ndeshjen e parë. Të mërkurën luan me Italinë.
LM - vend i fundit dhe i parafundit për Kosovën në not
Notarët e Kosovës kanë garuar për të shmangur pozitat e fundit edhe të hënën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në 100 metra stil të lirë garoi Riga Shala. Ajo u rendit e parafundit, përkatësisht e 20-ta, me kohë 1 minutë, 1 sekondë dhe 59 të qindtat. Prapa e la Luna Djarmatin e Shqipërisë.
56 sekonda e 83 të qindtat ishte koha e fundit që siguroi avancimin në finale në këtë disiplinë.
Në 100 metra stil të lirë garoi edhe Dior Krasniqi. Ai u rendit i fundit, përkatësisht i 21-ti. Koha e notarit kosovar ishte 55 sekonda e 9 të qindtat. I parafundit kishte kohë 52 sekonda e 74 të qindtat. 49 sekonda e 94 të qindtat ishte koha e fundit që siguroi finalen.
Vetëm humbje për mundësit në Lojëra Mesdhetare
Mundësit e Kosovës kanë garuar edhe të hënën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Egzon Xhoni, që e kishte edhe një rast përmes repesazhit në kategorinë deri 74 kilogramë në stil të lirë, pësoi 13:2 nga Georgios Ioakeimidis i Greqisë. Xhoni të dielën humbi 11:2 nga garuesi i Shqipërisë, Islam Dudaev.
Në luftërat e para u ndalën edhe dy mundëset e Kosovës.
Dorentina Nezaj humbi 4:0 nga marokenja Zineb Ech-Chabki, në kategorinë deri 53 kilogramë.
Lonisa Reka humbi 5:0 nga francezja Josephine Haemmerle në kategorinë deri 50 kilogramë.