Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Distria: Kemi punuar për ta bërë krenar vendin tonë

Distria Krasniqi

Xhudistët elitarë të Kosovës janë rritur me idenë dhe synimin për ta bërë krenar vendin e tyre. Kështu ka thënë kampionia olimpike, Distria Krasniqi.

Në serinë e shkrimeve të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos për prezantimin e kampionëve olimpikë në xhudo, të martën është prezantuar Distria Krasniqi. Ajo është njëra prej tri kampioneve olimpike nga Kosova.

Distria ka folur për temat e caktuara, ndërsa ka përmendur edhe për frymën në të cilën janë rritur. Distria është pyetur nëse e kaluara ka ndikuar në karakterin e kampionëve kosovarë.

“Ne jemi rritur që të jemi kaq të fortë, jemi fëmijë që erdhëm nga lufta në Kosovë. Kur dolëm nga ajo periudhë kemi ditur të luftojmë për të mbijetuar. Kemi dashuri të madhe nga vendi ynë dhe për vendin tonë. Kemi punuar për ta bërë vendin tonë krenar, por po ashtu kemi punuar për vete dhe për familjet tona. Mendoj se kjo na ka bërë më të fortë”, ka thënë Distria Krasniqi.

Ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 48 kg në Lojërat e fundit Olimpike, të mbajtura në vitin 2021 në Tokio të Japonisë.

Edhe Distria Krasniqi: Medaljet më motivojnë të vazhdoj Luftarake Distria Krasniqi: Medaljet më motivojnë të vazhdoj

“Medalja nuk më ka ndryshuar. Pasi kam fituar, kam thënë se jam e re dhe duhet të fokusohem sërish. Nuk kam pasur shumë kohë për ta shijuar jetën, sidomos pas ndryshimit të kategorisë. Kam vendosur që kategoria 48 kg është e mbyllur dhe se duhet të filloj sërish nga fillimi me kundërshtare të reja. Ishte sfidë e re”, ka theksuar Distria.

Ajo tashmë garon në kategorinë deri 52 kilogramë dhe po rreshton sukseset edhe në këtë kategori. Ka shumë vjet që është prej xhudisteve më të mira në botë.

Si kampione olimpike, Distria pranon se trajtohet ndryshe nga njerëzit. Por ajo thotë se qëndron me këmbë në tokë. Ka vendosur që me fillim të ri, me kategori të re, të sfidojë veten dhe kjo po i ndihmon që të mos u kushtojë shumë vëmendje atyre që e trajtojnë si kampione.

Distria ka folur edhe për vitet e para në xhudo. Ka treguar se fillimi nuk ishte pa sfida.

“Jam shumë e qetë dhe madje pak e turpshme. Kur isha e vogël nuk e kam marrë xhudon seriozisht dhe nuk kam garuar asnjëherë te kadetet. Kisha ambicie, por isha shumë e turpshme. Kam bërë aktivitete të ndryshme, si vallëzimi, sporte të tjera dhe xhudo po ashtu. Por xhudoja nuk ishte më e rëndësishmja. Pastaj shkova në një garë, kur isha rreth 10 vjeçe dhe e pashë që isha ndryshe”, thotë Distria.

Atë e karakterizojnë edhe përkushtimi dhe vendosmëria për të kaluar sfidat. Kjo i ka ndihmuar shumë në karrierë.

“Kur isha e vogël shoqet e mia kanë shkuar në gara jashtë vendit, por trajneri nuk më merrte pasi nuk isha mjaftueshëm e mirë. Më pas e vërejti që isha gjithnjë e uritur për fitore dhe që isha shumë këmbëngulëse. Pavarësisht se jam kaq e turpshme dhe e qetë, kam shumë besim se nëse dua diçka do të bëjë çdo gjë për ta arritur. Jam e lumtur që sakrifikoj gjëra për të ndjekur ëndrrat e mia. Kështu i lashë të gjitha gjërat prapa xhudos dhe u fokusova vetëm në të. Unë shkoja në shtëpi për të pushuar pas stërvitjes dhe tashmë mendoja për stërvitjen e radhës. Gjithnjë e di se çka dua. Shkoj hap pas hapi drejt qëllimit që kam në kokën time. Edhe nëse humb rrugës për atje, nuk e humbi pozitivitetin dhe besimin. Vazhdoj para”.

Edhe IJF-ja shkruan për Krasniqin dhe synimet e ardhshme të saj Luftarake IJF-ja shkruan për Krasniqin dhe synimet e ardhshme të saj

27-vjeçarja po vazhdon të përmirësohet dhe shikon para me optimizëm drejt lojërave olimpike “Parisi 2024”.

“Mundohem vazhdimisht të përmirësoj xhudon time dhe të sjell diçka të re. Ndoshta keni mundur ta vëreni se në secilin muaj para Lojërave Olimpike të Tokios ka pasur diçka të vogël e të re në xhudon time. Punoj në detaje dhe sjell gjëra të reja”, thotë Distria Krasniqi.