Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Distria e Nora ndajnë çmimin e më të mirës së vitit

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova e kanë ndarë çmimin e sportistit më të mirë të vitit të Grupit KOHA.

Krasniqi 2021-n e quajti vitin më të suksesshëm të karrierës së saj.

“Faleminderit për çmimin sidomos të dyja bashkë me Norën edhe pse nuk do të me mbetej hatri. Është model Nora dhe ka shkëlqyer aty ku duhet. Ka qenë viti me i suksesshëm në karrierë. Pas sukseseve të mia jam shpallur së fundi edhe xhudistja më e mirë në botë e po ashtu edhe trajneri im Driton Kuka si trajneri më i mirë në botë. Falënderoj të gjithë që kanë dhënë kontribut në këtë sport e po ashtu edhe ata që kanë votuar të bëhem më e mira në botë. Familja janë tifozët më të mëdhenj të mi dhe shpresoj që edhe viti tjetër të jetë i suksesshëm për mua dhe gjithë sportistet”, ka thënë Distria Krasniqi.

Edhe për Gjakovën ishte ky viti më i mirë i karrierës.

“Jam e lumtur që e kemi ndarë bashkë me Disin. Sa herë që kam arritur suksese kam thënë është viti më i mirë për mua, por ky me të vërtetë është viti më i mirë për mua. Falënderoj trajnerin Toni Kuka dhe gjithë familjen time për përkrahje”, ka thënë më pas Nora Gjakova.

Krasniqi e Gjakova kanë arritur suksesin kulmor këtë vit, duke fituar medalje të arta olimpike në Lojërat Olimpike në Tokio.

Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Gjakova në atë deri 57 kilogramë.

Për shkak të kësaj arritje në skenën më të madhe sportive, juria ka vendosur që dy xhudistet ta ndajnë çmimin.

Image
Artikuj të ngjashëm