Cristiano Ronaldo ka qenë pjesë e pandashme e mediave në gjithë botën dhe jo për çështje sportive.
Intervista e tij e fundit ka bërë bujë dhe për pak sa nuk i ka kushtuar me të ardhmen në klub.
Megjithatë, tani fokusi është kthyer kah Kupa e Botës.
Turneu nis të dielën, ndërsa Ronaldo do të paraqitet me Portugalinë në Kupën e Botës për herën e pestë.
Ronaldo është 37-vjeçar, ndërsa në intervistën e dhënë ka thënë se ushqimi dhe pushimi i kanë ndihmuar shumë që ta mbajë këtë nivel për kaq shumë vjet.
Sipas kuzhinierit personal të Ronaldos, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” bazohet në dietën me ushqime natyrale si ushqime të detit, mish pule, perime, vezë, vajra bimore e fara të ndryshme.
Ndërkohë kuzhinieri italian, Giorgio Barone, specialist i gatimit për futbollistë elitarë, ka bërë të ditur se Ronaldo pi shumë ujë dhe i jep shumë rëndësi pushimit.
“Nuk ka ushqime të shtrenjta. Përdor ushqime organike dhe natyrale si mish, vezë, avokado, vaj kokosi dhe oriz të zi”, ka shpjeguar kuzhinieri për “The Mirror”.
“Natyrisht, të gjitha këto kombinohen me stërvitje të fortë. Por, pushimi është po aq i rëndësishëm sa stërvitjet dhe ushqimi. Edhe ngrënia e ushqimit herët në mbrëmje luan rol”, ka thënë Giorgio Barone.