Tre ditë para se të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Spanjë, më 14 mars për shkak të përhapjes së koronavirusit, mjeku në klubin e divizionit të tretë, Barakaldo CF, mblodhi lojtarët dhe u tha të gjithëve që të shkojnë në shtëpi dhe të mos dalin, ka shkruar “The Guardian” të mërkurën.
“Kjo do të jetë për dy javë”, tha ai. “Pastaj dy javë të tjera, pastaj dy javë të tjera, dhe atëherë ndoshta edhe më shumë”.
Diego Cervero, sulmuesi që kishte shënuar gjashtë gola në po aq paraqitje qëkur iu bashkua ekipit Barakaldo në afatin kalimtar të janarit, i kujton lojtarët që shikonin njëri-tjetrin me habi, duke e pyetur veten se çfarë po bënte mjeku me këto udhëzime.
“Kjo është shumë serioze”, ishin fjalët paralajmëruese të mjekut.
Këto fjalë paralajmëruese Cervero ende i ka në kokë, të cilat u bënë sebep për veprimet e mëvonshme të sulmuesit.
“Pas atyre fjalëve, fola me miqtë e mi që janë mjekë, babanë tim gjithashtu që është mjek për 45 vjet, me të dashurën që është farmaciste dhe ishte bllokuar në Madrid. Kështu që mendova se do të ishte mirë që më herët t’i paralajmëroja të gjithë se në klub po vinte diçka e keqe”, tha Cervero.
Edhe
Guardiola e konfirmon Agueron në fushë kundër Realit
Atë pasdite, Cervero hipi në veturë dhe u nis për në shtëpinë e tij në Oviedo, gati 300 kilometra në perëndim të Komunës së Barakaldos që gjendet në provincën baske Biscay. Përgjatë rrugës, ai vendosi se duhej të bënte diçka dhe në fundjavë ai e thirri klubin e tij, për të kërkuar leje. Pak orë më vonë, klubi lëshoi një video në rrjetin social “Twitter”, në të cilën Cervero ofroi shërbimet e tij në luftën kundër koronavirusit – nga vija e parë e frontit. Kjo nuk ishte një ofertë boshe. Cervero ka shënuar 243 gola në karrierën e tij, përfshirë këtu edhe ata nga gjysma e fushës së tij me fanellën e Barakaldo CF, përpara se ekipi t’i pezullonte stërvitjet dhe t’i dërgonte të gjithë lojtarët në shtëpi.
Cervero, gjithashtu, është edhe mjek i kualifikuar dhe oferta e tij për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit ishte absolutisht serioze. Filloi të dërgonte emaila, të plotësojë formularë dhe të bëjë thirrje. Dhjetëra prej tyre ishin për kolegjet mjekësore të Asturisë, vendin bask, Madridin, Ministrinë e Shëndetësisë dhe spitalin e urgjencës që ishte organizuar dhe mbledhur me shpejtësi në kryeqytetin e Spanjës. Kishte folur edhe me mjekun e ekipit të tij, dhe pastaj kishte pyetur edhe shumë miq dhe miqtë e miqve. Sa herë që ata i dërgonin numra ose sugjerime, Cervero i telefononte...(gjerësisht në Kohën Ditore)