Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Di Francesco: Nuk mund të përqendrohemi vetëm te Salahu

Menaxheri i Romës, Eusebio Di Francesco, ka paralajmëruar lojtarët e tij se nuk mund të përqendrohen vetëm në bllokimin e Mohamed Salah në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi egjiptian bëri dallimin javën e kaluar kur realizoi dy gola dhe dy asistime në fitoren 5 me 2.

Di Francesco ka pranuar se Salah është talent që mund të ndryshojë rrjedhën e takimit, por ka insistuar se edhe Roma e ka një lojtar që mund të bëjë dallimin në fushë, duke aluduar në Edin Xhekon, i cili realizoi njërin nga dy golat.

“Salah bëri dallimin në ndeshjen e parë, por nuk mund të ndryshojmë gjithë ekipin. Duhet të kemi mekanizëm më të mirë”, ka thënë Di Francesco në konferencën për media.

“E rëndësishme është se Salah është lojtar i madh në kundër sulme, por nuk mund t’i lëmë tre lojtarë për të. Duhet të përqendrohemi në kundërshtarët, por gjithashtu edhe te vetja”, ka shtuar ai.

“Jam i nderuar që jam trajner i Romës dhe ndjej se kam përgjegjësi. Lojtarët kanë përgjegjësi dhe shpresoj të ketë edhe Xheko. Shpresoj të jetë vendimtar siç ishte Salah në ndeshjen e parë”.