Sport

Dhuna ndaj arbitrave – dukuri e zakonshme në Evropë

Amsterdam, nëntor (DW) - Duket se nuk kanë të mbaruar raportet e dhunës ndaj zyrtarëve në futbollin amator gjerman. Sidoqoftë, problemi nuk është unik për Gjermaninë; ja një vështrim se si qëndrojnë gjërat në Holandë dhe Angli, shkruan sot Koha Ditore.

Një nga orët më të errëta në futbollin amator erdhi më 2 dhjetor të vitit 2012, në Holandë: Richard Nieuwenhuizen ishte arbitër anësor në një ndeshje të të rinjve midis SC Buitenboys dhe SV Nieuw Sloten në Almere, pak jashtë Amsterdamit.

Një vendim i diskutueshëm rreth pozitës jashtë loje zemëroi disa prej lojtarëve të Nieuw Sloten që pas vërshëllimës së fundit, gjashtë prej tyre të moshës 15-16 vjeçare, së bashku me njërin nga baballarët e tyre sulmuan fizikisht Nieuwenhuizen, duke e nokautuar dhe pastaj duke e goditur në kokë.

Të nesërmen arbitri 41-vjeçar i futbollit amator vdiq në spital nga një hemorragji e trurit. Secili prej lojtarëve dhe babai i përfshirë në sulmin ndaj Nieuwenhuizen u dënuan më vonë për vrasje dhe u dërguan në burg.

Çdo incident duhet të ndëshkohet rreptë

Që nga vdekja e Niewenhuizenit, numri i incidenteve të raportuara të dhunës në ndeshjet amatore ka rënë në mënyrë të qëndrueshme, prej 485 në edicionin 2011/2012 në 257 në edicionin 2016/17, bazuar në statistikat e Federatës së Futbollit të Holandës.

"Çdo incident është një incident më shumë", thuhet në komunikatën e lëshuar nga Federata holandeze. "Ka 750 mijë ndeshje në vit dhe për fat të keq herë pas here ka ndeshje në të cilat janë të pranishme sjelljet josportive ku edhe përdoret dhuna. Nëse dhuna ndodh, brenda ose përreth fushës së futbollit, atëherë kjo është shqetësuese dhe ne menjëherë ndërmarrim veprime ndaj kësaj dukurie”.

Asaj që iu referua federata holandeze është një grup nismash për parandalimin e dhunës në futboll që filluan pas vdekjes së Nieuwenhuizenit, të cilat kryesisht kanë për synim lojtarët e rinj. Federata holandeze bashkëpunon ngushtë me organizatën holandeze "Halt", e cila punon për të luftuar delikuencën te të miturit. Futbollistëve të rinj, të cilëve u jepet ndalesa për sulme të dhunshme, u ofrohet trajnim për sjellje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)