Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dhjetë të infektuar me koronavirus në Bundesliga 1 dhe 2 pas raundit të parë të testeve

Liga e Futbollit Gjerman (DFL) ka njoftuar se pas raundit të parë të testeve për koronavirus te 36 klubet profesioniste në Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2, dhjetë persona kanë rezultuar të infektuar, shkruan revista gjermane Kicker.

Në total janë bërë 1724 teste për koronavirus, ku janë testuar lojtarët, trajnerët, fizioterapeutët dhe personeli i skuadrës. FC Koeln ka njoftuar të premten se tre persona kanë dal pozitiv, dy lojtarë dhe një fizioterpauet. Por, se ku janë shtatë rastet tjera me koronavirus, DFL nuk ka njoftuar.

“Masat adekuate, si shembull izolimi i personave të prekur, janë marrë menjëherë nga klubet përkatëse, sipas udhëzimeve të autoriteteve lokale shëndetësore”, është thënë në komunikatë të DFL-së.

Bundesliga po synon të rifillojë garat në mesin e muajit maj, por po pritet aprovimi i qeverisë.