Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Deschamps pret që Benzema të jetë lider

Paris, 7 qershor – Didier Deschamps e udhëheq Francën që nga viti 2012. Pra është në krye të përfaqësueses franceze për afro nëntë vjet. Ish-mesfushori defanziv ka udhëhequr “Les Bleus” drejt finales së humbur në “Euro 2016” para se me Francën të fitonte “Botërorin 2018” në Rusi.

52-vjeçari tani synon të bëjë atë që e ka bërë si lojtar – Botërorin ta pasojë me sukses në Evropian. Deschamps tashmë ka bërë lëvizje të madhe duke kthyer sulmuesin 33-vjeçar të Real Madridit, Karim Benzema.

Benzema, që po kalon formë të shkëlqyer, është kthyer pas pesë vjetësh. Deschamps po shikon para që të dëgjojë tifozët sërish në stadium, ndonëse Franca do t’i luajë të gjitha ndeshjet larg shtëpisë këtë herë.

Për sajtin zyrtar të UEFA-s, selektori i Francës ka folur për disa tema. Ka folur për sfidën që të përzgjedhë ekipin final prej 26 lojtarëve.

“Më është dashur të bëj zgjedhje dhe për fat të keq disa lojtarë mbesin të pakënaqur. Por është përgjegjësi e imja. Qëllimi im është gjithnjë i njëjtë – të bëj zgjedhjet më të mira për Francën. Disa lojtarë përfundimisht e meritojnë të jenë këtu. Për këtë janë vendimet e mia, ndonëse këtë herë skuadra është pak më e madhe, jo me 23 por me 26 lojtarë. Por kjo jo domosdoshmërisht është një përparësi në kuptimin e menaxhimit. Për secilën ndeshje duhet të dërgojmë tre lojtarë në tribunë. Por prapë, është përgjegjësi e imja. Të gjithë 26 lojtarët do të jenë të lumtur në ditën e parë, por ata tre në tribunë nuk do të buzëqeshin në ndeshjen e parë”, ka thënë Deschamps.

Lidhur me kthimin e Karim Benzema, Deschamps ka thënë se procesi i kishte disa faza. Nuk ka dashur të flasë me detaje, por ka thënë se hapi i parë ishte krijimi i mundësisë për t’u takuar dhe për të folur gjatë.

“Më pas kam kaluar një proces të tërë mendimi. Ai është tani këtu. Ai është i lumtur të jetë me ne, unë jam i lumtur që e kam atë në ekip. Ka të bëj me skuadrën, qëllimi është i njëjtë. Ne të gjithë duhet të jemi garues sa më shumë të jetë e mundur”, ka treguar selektori francez.

Ai ka vlerësuar se Benzema mund të sjellë shumë për Francën. Ka thënë se sulmuesi është tani më i matur dhe është përmirësuar shumë.

“Ai mund të bëjë shumë. Ai është lider, nëse gjërat i shikojmë nga aspekti teknik”.

Franca ndeshjen e parë e luan ndaj Gjermanisë, më 15 qershor në Munich. Ndeshja i takon Grupit F. Deschamps ka pranuar se është mik i selektorit të Gjermanisë, Joachim Loew. Madje e admiron për jetëgjatësinë në postin e selektorit. Thotë se ajo i ka ndihmuar ta fitojë titullin e Botës në vitin 2014.

“Kur takohemi në ndeshje, ne të dy jemi të fokusuar në ngjarje dhe në lojtarët tanë. Kam shumë respekt për atë që e ka bërë dhe për jetëgjatësinë me Gjermaninë në nivel aq të lartë. Me gjithë vështirësitë, ndonjëherë shumë të mëdha, ai ka ecur para. Ai ka vendosur të largohet pas Evropianit dhe sigurisht është vendimi më i mirë për të. Do të jetë kënaqësi dhe do të më bëjë të buzëqesh përballja me të më 15 qershor në Munich”, ka theksuar Deschamps.

Evropiani ka fituar shumë në peshë edhe për faktin se tifozët po kthehen në tribuna, ndonëse jo në kapacitet të plotë të stadiumeve.

“I luajmë të gjitha ndeshjet larg shtëpisë, por nuk është dëshpëruese për mua të kemi njerëz në stadiume. Futbolli, loja që duam, loja që njohim, ka kuptim me tifozë në tribuna. Ka të bëjë me emocionin, me ndarjen e ndjenjave, është diçka që e duam, pjesë e jetës sonë. Është e rëndësishme për lojtarët. Futbolli nuk mund të zgjidhë problemet e përditshme. Por për një moment, gjatë ndeshjes, para saj, në stadium njerëzit mund të vijnë të bashkuar dhe duke ditur se vijnë të na përkrahin, është gjë e shkëlqyeshme”, ka theksuar Deschamps.

Artikuj të ngjashëm