Qendërmbrojtësi i Shqipërisë që luan te Lecce në Serie B, Kastriot Dermaku, ka thënë se synim i skuadrës është elita e futbollit të Italisë.
Lecce pas 11-të xhirove është në vendin e tretë me 20 pikë, dy më pak se Pisa që është lidere.
“Serie B është me intensitet të lartë, ka sezon të gjatë dhe është kampionat shumë garues ku shumë ekipe luftojnë për synimin kryesor. Këtë vit besojmë shumë në arritjen e objketivit. Gjatë kampionatit ka momente negative e pozitive, por duhet ta kemi qëndrimin që e bën diferencën. Sezoni është shumë i balancuar, por ato skuadra që do të kenë qëndrueshmëri do të ngjiten në Serie A”, ka thënë Dermaku në konferencën për shtyp të enjten.
Lecce të dielën në orën 14:00 do të ballafaqohet me Parman. Këtë duel, 29-vjeçari Dermaku e sheh tejet të vështirë, por edhe të veçantë. Dermaku në verë nga Parma u transferua te Lecce.
“Kundër Parmas do të jetë ndeshje e vështirë sepse të gjithë janë në garë për titull. Kam kujtime të mira me skuadrën por e tanishmja quhet Lecce. Në verë nuk isha mirë dhe nuk stërvita me skuadrën. Më pas erdhi kjo mundësi dhe u transferova te Lecce”, përfundoi Dermaku që e ka një gol të shënuar sivjet.