La Liga rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 30-të.
Xhiroja hapet me ndeshjen ndërmjet Getafes dhe Mallorcas, që luhet të shtunën në orën 14:00.
Skuadra ku luan Vedat Muriqi, Mallorca, do të jetë me trajnerin e ri Javier Aguirre, që e zëvendësoi Luis Garcian. Mallorca është në seri prej gjashtë humbjeve rresht dhe ka rënë në zonën që rrezikon mbetjen në elitë.
Real Madridi, të shtunën, do të luajë po ashtu në orën 18:30 në udhëtim te Celta Vigo. Në xhiron e fundit, Reali pësoi disfatë 4:0 në shtëpi nga Barcelona dhe tani pas pushimit të përfaqësueseve synon të mos e përsëritë të njëjtin gabim.
Të udhëhequrit e Carlo Ancelottit prijnë në tabelë me nëntë pikë më shumë se vendi i dytë Sevilla dhe 12 pikë më shumë sesa Barcelona.
Ancelotti pritet ta humbë këtë duel pasi doli pozitiv në testin për koronavirus të mërkurën, ndërsa Isco dhe Luka Joviq kanë probleme fizike.
Karim Benzema pritet të rikthehet në formacion pas lëndimit që e pati në muskul, por mbetet të shihet nëse do të ketë vend për Gareth Balen, i cili shkëlqeu me Uellsin javën e kaluar.
Real Madridi nuk është mposhtur në shtatë vizitat e fundit te Celta.
Kampioni në fuqi, Atletico Madridi, pritet të ketë punë më të lehtë të shtunën në orën 21:00, kur ballafaqohet me vendin e parafundit në tabelë, Alavesin.
Derbi i kësaj fundjave do të zhvillohet në Barcelonë. Barcelona do të luajë kundër Sevillas të dielën në orën 21:00. “Blaugrana” synon ta vazhdojë formën e mirë, pas fitores së madhe në “El Clasico”.
Përderisa skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez ka vetëbesim të madh aktualisht, Sevilla në ndeshjet si mysafir nuk është treguar shumë efikase. Ka pesë barazime në udhëtim, në pesë ndeshjet e fundit në La Liga.
Madje edhe vetë trajneri Julen Lopetegui ishte fishkëllyer nga disa tifozë, pas barazimit pa gola me Real Sociedadin.