Si disa të tjerë, Lumbardh Dellova ka bërë një lëvizje jo shumë të pëlqyer në mesin e futbollistëve – nga një ligë më e zhvilluar për në atë të Kosovës.
Mbrojtësi i qendrës është i huazuar te Prishtina nga Hajduku i Splitit, që nga fillimi i edicionit 2020/2021.
Dellova kishte kaluar te klubi kroat në shtator të vitit 2018 nga Liria e Prizrenit dhe është paraqitur vetëm me ekipin e dytë të Hajdukut.
Mediat në Kroaci e kishin vlerësuar rritjen e tij dhe kishin parashikuar se Dellova do të jetë i padiskutueshëm në përbërjen e parë, pas paraqitjeve të mira në fazën përgatitore me Hajdukun në verën e vitit 2019. Megjithatë, Dellova nuk e luajti asnjë minutë në ndeshje zyrtare me ekipin kroat, ani pse ishte pjesë e skuadrës së parë dhe vazhdimisht në 18-she.
Për KOHËN, Dellova e pranon se ka ardhur në Kosovë për të luajtur dhe për të synuar sërish Kroacinë. Huazimin te klubi kryeqytetas e ka parë si mundësi të mirë për karrierën e tij.
“Ardhja te Prishtina ka qenë mundësi shumë e mirë për mua sepse kam pasur nevojë për lojë. Në Hajduk nuk ma kanë dhënë rastin. Nuk e kam zhvilluar asnjë ndeshje me ekipin e parë, ani pse kam qenë pjesë e ekipit të parë e po ashtu edhe në 18-she në të gjitha ndeshjet. Me ekipin B i kam luajtur të gjitha ndeshjet”, tha Dellova.
Ai e pranon se në fillim e kishte të vështirë adaptimin me jetën në Split, por thekson se më kalimin e kohës gjërat janë rregulluar.
Dellova thotë se në verë do të kthehet sërish te Hajduku me të cilin klub ka kontratë deri në qershor të vitit 2022.
22-vjeçari zbulon se performancën e tij janë duke e shikuar edhe drejtuesit e klubit kroat.
“Unë jam te Prishtina në formë huazimi nga Hajduku i Splitit deri në fund të sezonit. Për momentin unë jam i përkushtuar te Prishtina dhe do të shohim se çka do të ndodhë në qershor. Unë kam kontratë me Hajdukun. Drejtuesit e klubit po i shikojnë ndeshjet e mija dhe janë shumë të kënaqur”, u shpreh Dellova.
Lumbardh Dellova është i padiskutueshëm në përbërjen e parë të skuadrës së Prishtinës që po drejtohet nga trajneri, Zekirija Ramadani. Ai po vlerësohet nga njohësit e futbollit në vend si ndër mbrojtësit më të mirë në ligë.
Për formën dhe paraqitjet e mira, Dellova thotë se meritë kanë të gjithë në klubin prishtinas.
“Jam ambientuar shumë shpejt me ekipin. Të gjithë kanë ndikuar për këtë pjesë, shtabi teknik, bashkëlojtarët, klubi dhe të gjithë”, tha ai.
Dellova pranon se te Prishtina çdoherë synohen të gjithë trofetë. Shtatlarti, që muajin e shkuar fitojë Superkupën e Kosovës me ekipin “bardhekaltër”, beson se në fund do t’ia dalin që të rrëmbejnë Kupën dhe titullin e kampionit.
“Sezonin e kemi filluar keq, pasi kemi pasur probleme derisa jemi komponuar si ekip. Tani jemi shumë mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e radhës që na presin. Ne do të vazhdojmë ndeshje pas ndeshje dhe në fund besoj që do t’i arrijmë objektivat e klubit. Me lojëra të mira do të vijnë rezultatet në fund. Patjetër që Prishtina luan për çdo trofe, edhe për kupë edhe për titull. Sa u përket kundërshtarëve për titull dhe kupë, nuk dua të përmend emra, për ne ka rëndësi vetëm ndeshja e radhës”, deklaroi Dellova.
Ai ishte edhe pjesë e Kosovës U21. Ka zhvilluar dy ndeshje, kundër Anglisë dhe Austrisë. Caku tjetër i Dellovës do të jetë përfaqësuesja A.
“Çdo futbollist e ka ëndërr që të ftohet nga përfaqësuesja A. Shpresoj që në të ardhmen ta kem ftesën edhe unë”, përfundoi Dellova, i cili ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e Kosovës U19.
Si futbollist është rritur te Liria e Prizrenit, kurse ka lindur në Krushë të Madhe.
Përveç Dellovës nga futbolli kroat janë kthyer në Superligën e Kosovës edhe Mirlind Daku, i cili nga Osijeku është i huazuar te Ballkani dhe Festim Alidema që i është bashkuar Dritës si huazim nga Slaven Belupo.
I huazuar te Prishtina është edhe Leutrim Kryeziu, i cili ka kontratë me Luganon në Zvicër.