Pep Guardiola ka udhëhequr një mënyrë të re të lojës në 15 vjetët e fundit, e cila ka ndikuar në kulturën e futbollit, vendet dhe trajnerët e tjerë. Por jo shumë i kanë marrë mësimet e Pepit, i kanë kuptuar thellë dhe kanë pasur guximin ta shtynin atë stil në një nivel tjetër, siç ka bërë trajneri italian i Brightonit, Roberto de Zerbi.
Puna e De Zerbit te Brightoni ka bërë që trajneri 44-vjeçar i lindur në Brescia të konsiderohet nga shumë njerëz si një nga më të mirët që ka arritur në Premier League qëkur Guardiola mori drejtimin e Manchester Cityt. De Zerby është trajner që admirohet nga shumë njerëz. Ndërsa skuadra e tij luan në udhëtim te City të shtunën, me vetëm dy pikë prapa në tabelë, tashmë ai po shihet si zëvendësues i mundshëm i Guardiolas pasi të përfundojë epoka e tij në “Etihad Stadium”.
De Zerbi në krye të Brightonit erdhi rastësisht. Graham Potter mori një ofertë që nuk mund ta refuzonte nga Chelsea dhe De Zerbi që ishte larguar nga Shakhtar Donetsku shkaku i luftës në Ukrainë, nënshkroi kontratë katërvjeçare me ekipin anglez më 18 shtator të vitit të shkuar. Edhe te Brightoni pranojnë se ardhja e De Zerbit kishte ndodhur për shkak të rrethanave të krijuara papritmas dhe kishte të bënte me planifikimin e ardhshëm. Brightoni dinte pak për trajnerin italian, i cili sa ishte në krye të Sassuolos kishte përfunduar dy edicione rresht në top-tetë dhe ishte adhurues i lojës sulmuese. Klubi anglez nuk ka besuar se De Zerbi do të mund të instalonte një qasje të tillë kur e angazhoi. Por italiani tashmë ka krijuar një ekip me lojtarë energjikë, të rinj dhe teknikisht shumë të aftë. Kjo ka bërë që Brightoni të jetë i përkryer në atë që De Zerbi pret dhe kërkon prej ekipit të tij.
Pa dyshim se mungesa e presionit për sukses te Brightoni e ka ndihmuar shumë De Zerbin, i cili në pesë ndeshjet e para nuk pati fitore. Në fakt Brightoni edicionin e shkuar as që ishte afër pozitës së gjashtë në tabelë, në të cilën arriti të përfundonte dhe siguronte një vend në Ligën e Evropës. Po ashtu penalltitë ia mohuan kalimin në finalen e Kupës FA. Përfundimi i sezonit të shkuar dhe starti i mirë këtë sezon kanë bërë që te Brightoni ta shohin De Zerbin siç e shohin Guardiolan te City. Ai ka kaluar pak kohë me Guardiolan para se të largohej nga Shakhtari dhe të bashkohej me Brightonin. Për këtë arsye ata konsiderohen të ngjashëm në aspektin e lojës. Nëse Guardiola largohet nga City në vitin 2025 kur edhe i skadon kontrata, krerët e klubit kampion të Anglisë do ta kërkojnë De Zerbin me çdo kusht. De Zerbi po dëshiron ta çojë futbollin në një nivel tjetër nga ku e ka marrë Guardiola, duke bërë gjëra që nuk janë bërë. Sipas tij, lojtarët rrezikojnë më shumë se kurrë dhe janë më dinamikë se kurrë. Ai vendos më shumë lojtarë përpara topit dhe punon më shumë se shumica në organizimin e sulmit. Lojtarët kënaqen duke punuar me të pasi e kanë kuptuar se çfarë pritet prej tyre.
De Zerbi ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer me lojtarët e tij kudo që ka qenë, kryesisht sepse është i sinqertë, i drejtë dhe i qartë me ta. Fjala kyç është respekti dhe ai i respekton dhe i trajton të gjithë. Ai filloi si trajner dhjetë vjet më parë dhe i ka qëndruar besnik filozofisë së tij gjatë gjithë kohës, ndërsa ka mësuar nga trajnerë të tjerë për të zhvilluar idetë e tij. De Zerbi i ka bërë të gjithë në Brighton të etur për të punuar, përshtatur, përmirësuar dhe mësuar. Ndërkohë edhe ai është përshtatur me kërkesat e ndryshme që i janë vënë në vende të ndryshme. Në Angli lojtarët vlerësojnë shumë mundësinë për të shijuar një ditë pushimi nga stërvitjet e forta në mënyrë që të jenë në gjendje të punojnë më mirë dhe më të freskët. Ai ka theksuar se lojtarët kthehen më të mprehtë dhe më të gatshëm pas një dite pushimi. Mentaliteti në Itali, ku ai drejtoi Sassuolon dhe ku stërvitet çdo ditë, është ndryshe. Ai ka mësuar nevojën për t'i lejuar lojtarët e tij të rimbushin bateritë.
Jason Steele është një lojtar i ringjallur te Brightoni. Pasi ka kaluar shumë kohë si portieri i dytë dhe në disa raste i treti në klubet e mëparshme, me De Zerbin është titullar i padiskutueshëm.
Edhe
De Zerbi opsion për ta drejtuar Unitedin
“Unë me padurim pres të shkoj në stërvitje çdo ditë. Kurrë nuk mendoj për të pushuar pasi De Zerbi është një trajner që të bën ta dashurosh mënyrën e tij të punuarit. Me de Zerbin futbollin po e shoh ndryshe pasi kam mësuar shumë prej tij”, tha Steele.
Kur sulmuesi i Spanjës, Ansu Fati, vendosi të largohej nga Barcelona për të kishte shumë oferta, përfshirë nga Tottenhami dhe Brightoni. Pas shumë diskutimeve, Fati zgjodhi Brightonin vetëm për një arsye, dëshironte të punonte nën urdhrat e De Zerbit.