Ish-mesfushori i Përfaqësueses së Holandës, Edgar Davids, është emëruar trajner te skuadra e Olhanenses, që bën gara në kategorinë e dytë të Portugalisë. Lajmin e ka konfirmuar vet Davids të hënën në rrjetet sociale, duke shkruar: “Kapitull i ri, Olhanense”.
47-vjeçari, ka punuar si ndihmëstrajner te ekipi i divizionit të dytë të Holandës, Telstar kurse me Olhanensen ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Për Davidsin, Olhanense është klubi i dytë që do ta drejtoj pasi më herët ka punuar edhe si trajner i ekipit anglez Barnet. Aktualisht, Olhanense zë vendin e katërt në tabelë, me dhjetë pikë më pak se Vitoria Setubal që është lidere. Gjatë karrierës si lojtar aktiv, Davids ka bërë karrierë te Ajaxi, Milani, Juventusi, Barcelona, Interi, Tottenhami e Crystal Palace.