Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Darwin Nunez, “100-milionëshi i Liverpoolit” që gati hoqi dorë nga futbolli

Ai është bërë transferimi më i shtrenjtë në historinë e Liverpoolit, por si një talent 17-vjeçar në Uruguai, Darwin Nunez pothuajse e la futbollin pasi pati vështirësi të rikthehej nga një dëmtim i rëndë në gju.

Kur ta veshë fanellën e Liverpoolit për herë të parë në fushën e blertë, Nunez do të ketë një mendim në kokë për ish-trajnerin e Përfaqësueses së Uruguait dhe të ekipit të rinjve të Penarolit, Jose Perdomon, i cili e zbuloi dhe më vonë ndihmoi ta bindte të vazhdonte të luante futboll. Ish-trajneri i ekipit U20 të Uruguait, Fabian Coito, ishte i vetmi që e ftonte Nunezin në grumbullimin e të rinjve, kur të tjerët, përfshirë edhe vetë sulmuesin, kishin dyshime. Edhe prindërit e tij, Silvia dhe Bibiano ishin këmbëngulës që Darwini të vazhdonte të luante. Kur u transferua tek Almeria në Spanjë, Nunez ua bleu gjashtë hektarë tokë për të ndërtuar një shtëpi të re.

“E thirra një ditë më parë në telefon dhe i thashë: ‘E ke harruar plakun!’”, thotë Coito.

Nunez i kishte premtuar ish-trajnerit një fanellë të nënshkruar të Liverpoolit dhe i tha se në momentin që do të prezantohet, do ta mbajë premtimin. Ai e kupton se Nunez e ka kohën e ngarkuar për shkak se duhet t’i kryejë kontrollimet mjekësore dhe pastaj të prezantohet dhe të njoftohet me stafin e klubit. Të hënën Benfica njoftoi se ka arritur marrëveshje me Liverpoolin për Nunezin, i cili u prezantua të martën te gjiganti anglez. Për kartonin e Nunezit skuadra angleze do të paguajë hiq më pak se 100 milionë euro, përfshirë këtu edhe bonuset.

“E kuptoj që është i zënë, por Darwini nuk do të harrojë për ta dërguar fanellën”, shtoi Coito.

Edhe Liverpooli zyrtarizon Darwin Nunezin Sport Liverpooli zyrtarizon Darwin Nunezin

Ndodhi nëntë vjet më parë kur ai shkoi në qytetin e vogël Artiga në kufirin Uruguai - Brazil për të vëzhguar Nunezin në një turne për gjeneratën U13. Kur Coito i tha familjes së Nunezit se donte ta merrte në Montevideo, mamaja e tij, Silvia, rezistoi: “Jo edhe Darwini!”, tha ajo pasi kishte parë tashmë djalin Junior që lëvizte për në Penarol.

Nunez luftoi në fillim për të përballur kalimin nga jeta familjare në qytetin e tij të vogël të lindjes, ku nëna e tij punonte në pastrimin e shtëpive dhe babai i tij ishte ndërtimtar. Lëvizja e çoi atë 600 kilometra në jug, në fillim duke jetuar në konvikt me të rinj të tjerë shpresëdhënës në kryeqytetin e zhurmshëm.

Kur më në fund filloi të përshtatej dhe të avanconte në ekipin B të Penarolit, ai shqeu ligamentin e kryqëzuar në gjurin e tij të djathtë, duke luajtur në nivelin e dytë të Uruguait. I gjithë përparimi u ndal, i gjithë synimi u vu në dyshim.

Në shkurt të vitit 2017, ai iu nënshtrua operimit dhe aq e vështirë ishte rruga drejt rikuperimit sa gati u kthye në shtëpi, me prindërit e tij që tani ishin me të në Montevideo. Darwini ishte i vendosur të hiqte dorë përfundimisht nga futbolli. Vëllai, Junior, një mesfushor sulmues, veçse kishte hequr dorë nga ëndrra e tij për të luajtur profesionalisht dhe përfundimisht do të bëhej polic. Darwini filloi të pyeste veten nëse fati i tij do të ishte i njëjtë. Ai fillimisht priste të kthehej nga dëmtimi pas gjashtë muajsh, por kaluan afër 18 muaj para se të luante përsëri rregullisht.

Coito, i cili luajti për Uruguain në Botërorin “Italia 90” dhe shkurtimisht për Coventryn në vitin 1990, ka sjellë talente në Penarol për 18 vjet.

“Pasi e përfundoi rikuperimin, Darwini ishte promovuar në ekipin e parë dhe donte ta dëshmonte veten. Por, nuk arriti për shkak se kishte ende dhimbje në gju”, kujton Coito.

Ishte nëntori i vitit 2017 kur ai bëri debutimin në ekipin e parë si zëvendësues. Por, ai nuk arriti të bënte asgjë për shkak të dhimbjeve dhe u detyrua sërish t’i nënshtrohej operimit. Pas kësaj, ai ishte i vendosur të kthehej në Artigas dhe të mos merrej më me futboll, por Coito e bindi të mos hiqte dorë.

“I thashë se nëse do të ishte i përkushtuar do t’ia dilte”, thotë Coito. “Së bashku me shokët e tij të skuadrës ne e bindëm. Dhe është merita e tij e madhe që vazhdoi. Kur vendosi të transferohej në Evropë, ai zgjodhi një ekip të nivelit të dytë”.

Ajo skuadër e kategorisë së dytë ishte Almeria në Spanjë, ku Nunez shënoi 16 gola në 32 ndeshje dhe e vendosi veten në listën e shumicës së drejtorëve të futbollit evropian. Ishin të shumta kërkesat për Darwinin. U përfshi edhe Luis Suarez, i cili ia propozoi Barcelonës për pasardhës të tij.

Edhe Nunez do t’i bashkohet Liverpoolit Sport Nunez do t’i bashkohet Liverpoolit

Darwin ishte i lumtur në jug të Spanjës dhe bleu tokën e prindërve me paratë që i fitoi.

“Është një dhuratë për gjithçka që keni bërë për mua”, u kishte thënë atyre Nunez.

Asnjëra prej skuadrave në Evropë nuk e përballoi ofertën e Benficas, ekip që siguroi shërbimet e tij në verën e vitit 2020. Atij i mjaftoi një edicion te Almeria për ta bërë hapin e madh.

Edicioni i parë te Benfica ishte shumë i vështirë, përpara se të shpërthente në edicionin e dytë dhe të ishte lojtari kryesor në ekip. Pas 34 golave në 41 paraqitje për Benfican, Nunez kampionatin e ardhshëm do të luajë në ligën më të fortë në botë – Premier League.

“Nuk çuditem aspak sepse gjithmonë e kam ditur se Darwini do të shpërthejë, ndonëse të tjerët kishin dyshime për talentin e tij”, pranon Coito.

Fermin Mendez është një gazetar futbolli uruguaian për “La Diaria”, i cili ka ndjekur ngritjen e Nunezit dhe kujton kohën kur dyshimet po shtoheshin për sulmuesin.

“Në Penarol sulmuesi e ka detyrim të shënojë gola. Ata nuk presin shumë ndeshje dhe menjëherë i largojnë lojtarët. Për Darwinin nuk ishte aspak lehtë”, kujton ai.

Lëvizja e tij në Almeria erdhi në të njëjtën kohë kur mori ftesë nga Përfaqësuesja A e Uruguait dhe shënoi vetëm pesë minuta pasi u inkuadrua kundër Perusë, në tetor të vitit 2019. Ai kishte ëndërruar të luante përkrah Suarezit, tani është bashkëlojtar me të.

Edhe Nunez bashkohet me Salahun te Trabzonspori Futboll Nunez bashkohet me Salahun te Trabzonspori

“Ai duhej të shkonte në Evropë për të vazhduar zhvillimin”, shtoi Fermin, i cili është tifoz i Liverpoolit, por atij nga Motevideo që sapo është shpallur kampion i Uruguait.

Ai e krahason Nunezin me Edinson Cavanin dhe insiston se 22-vjeçari do të përshtatet shumë mirë te Liverpooli nën urdhrat e Juergen Kloppit. Nunez te Liverpooli do ta bartë fanellën me numrin 27 dhe do të bëhet uruguaiani i tretë te klubi anglez, pas Luis Suarezit dhe Sebastian Coatesit.