Basketbollisti Dardan Berisha nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Pejës për sezonin e ri. Largimin nga skuadra pejane, e ka konfirmuar Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook.
Berisha ishte pjesë e Pejës prej fillimit të vitit 2019 duke u rikthyer pas tre vjetësh dhe ndihmoi ekipin të triumfonte në Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike. Ai gjithashtu ishte edhe kapiten i KB Pejës.
“Të dashur qytetarë të Pejës, tifozë Shqiponjat dhe dashamirë të basketbollit. Dua të ju informoj se nga ky vit nuk do te jem më pjesë e KB Pejës. Me ketë rast falënderoj nga zemra qytetarët, tifozët, bashkëlojetarët si dhe te gjithë ata të cilët më përkrahën gjatë rrugëtimit tim. Ishin vite të jashtëzakonshme dhe përherë do mbesin në kujtimet e mija. Më Respekt Dardani!”, ka shkruar Berisha.
Sipas burimeve të KOHËS, Berisha për sezonin e ri pritet të jetë pjesë e Sigal Prishtinës. Ai në të shkuarën, ka luajtur në dy raste për Prishtinën duke fituar çdo trofe të mundshëm në basketbollin kosovar, përfshirë edhe Ligën Ballkanike (BIBL).