Basketbollisti Dardan Berisha është kthyer për herë të tretë te Sigal Prishtina.
Edicionin e kaluar ishte kthyer në kryeqytet vetëm për gjashtë muaj për shkak të garave ndërkombëtare, para se të transferohej në ekipin çek CEZ Nymburk.
“Dardani pasi që shkëlqeu në Çeki duke fituar titullin dhe kupën me skuadrën CEZ Nymburk, radhën e ka të shkëlqejë përsëri tek Prishtina, ku me ardhjen e tij do të jemi një ekip më i kompletuar, i gatshëm për sfidat europiane që na presin, si i vetmi klub shqiptar pjesëmarrës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e klubit të Prishtinës.
“Për Dardanin nuk kemi shumë se çfarë të themi pasi që të gjithë i njohim aftësitë e tij, sidomos bombardimet për tre pikë dhe depërtimet e pandalshme për kundërshtarët. Me Dardanin dhe të tjerët Prishtina aspiron shumë më shumë këtë sezon”, ka njoftuar ish-kampioni i Kosovës.