Sport

Danisha e vazhdoi qëndrimin në Kosovë për të ndjekur suksesin që i mungon

Kur iu propozua kthimi për të luajtur sërish në Kosovë dhe kur e kuptoi se ekipi në edicionin e ri do të paraqitej për herë të parë në një garë si EuroCup Women, Danisha Shaw nuk hezitoi dhe menjëherë firmosi kontratë.

Për amerikanen Shaw, ky është edicioni i dytë në Kosovë, por këtë herë do të jetë pjesë e një ekipi tjetër të femrave. Edicionin e shkuar, 27-vjeçarja ishte pjesë e Bashkimit, kurse këtë edicion do ta bartë fanellën e Prishtinës, ekip që do të paraqitet në fazën e grupeve të EuroCup Women, që është niveli i dytë i garave në basketbollin femëror në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.

"Vendosa të kthehem në Kosovë për të luajtur me Prishtinën në EuroCup, pasi është një mundësi e madhe të paraqitem në një garë të tillë që është shumë e fortë. Kur m’u ofrua mundësia, nuk hezitova fare për të pranuar ofertën, kurse në masë të madhe ndihmoi edhe paraqitja e klubit për herë të parë në një garë të tillë", shprehet Shaw në një bisedë për gazetën.

Në EuroCup, që nis me gara muajin e ardhshëm, Prishtina do të jetë pjesë e Grupit B dhe për kundërshtarë do të ketë dy skuadrat nga Rusia, Spartak Vidonje e MBA Moska, si dhe ekipin e njohur nga Turqia, Beshiktash.

Si Shaw ashtu edhe te Prishtina e kanë parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë përballë kundërshtarëve që kanë jo vetëm përvojë më të madhe, por edhe buxhet. Mirëpo, Shaw insiston se Prishtina nuk do të dorëzohet në asnjë ndeshje, duke u munduar të japë maksimumin....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)