Armend Dallku e ka vlerësuar si shumë të fortë skuadrën e Llapit, por ka nënvizuar se puna e madhe gjatë javës ka dhënë frytet e veta.
Dallku që është udhëheqës i skuadrës së Dukagjinit, u shpreh shumë i lumtur pas fitores ndaj Llapit, ndërsa ka theksuar se tani fokusi është që të fitohet edhe dueli kundër Malishevës në udhëtim. Dukagjini fitoi ndaj Llapit të dielën në xhiron e 35-të të Superligës me rezultatin 3:2.
“Llapi na rrezikoi me lojtarë të shpejtë. E kemi analizuar shumë mirë kundërshtarin. Kemi pasur probleme me disa futbollistë. Jemi të lumtur për këtë fitore, ishin pikë jetike. Falënderoj tifozët që ishin në numër mjaftë të madh. Do të shkojmë në Malishevë për ta bërë më të mirën, pse jo edhe të fitojmë. Do ta kemi tërë javën ta analizojmë kundërshtarin dhe veten. Pse mos ta përfundojmë sezonin në vendin e pestë. Kemi pasur shumë vështirësi në komponimin e ekipit, kartonë të kuq e lëndime. Komponimi i ekipit u bë në pjesën e dytë të sezonit dhe kjo ka dhënë edhe rezultatet”, ka theksuar Dallku pas ndeshjes.