Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku është ndarë i kënaqur me pikën që e fitoi ekipi i tij në ndeshjen e parë të sezonit 2021/22. Dukagjini luajti 2:2 në udhëtim kundër skuadrës së Ballkanit. Trajneri Dallku pas ndeshjes ka thënë se ekipi i tij nuk do të jetë vetëm si turist në Superligë , por në secilën ndeshje do të futet për fitore.
Gjithashtu, Dukagjini ndaj Ballkanit mbeti pa sulmuesin Ahmed Januzi që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 73-të.
“Nuk ishte ky maksimumi ynë, pasi po ashtu mbetëm edhe me një lojtar më pak në fushë. Jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve që nuk u dorëzuan deri në fund”, ka thënë Dallku. “Është një pikë e rëndësishme pasi ishte ndeshja e parë në Superligë këtë edicion. Po shpresoj që pas këtij barazimi të vazhdojmë me këtë mënyrë dhe intensitet edhe në ndeshjet tjera. Në çdo ndeshje do të luajmë për fitore sepse nuk jemi turistë në Superligë. Jemi të motivuar dhe kemi ekip solid”.