Selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq, e ka komentuar grupin po ashtu.
Kroacia, bashkë me Shqipërinë, Spanjën dhe Italinë janë në Grupin B, pas tërheqjes së shortit në Hamburg të shtunën.
“Është grupi më i vështirë. Luajmë kundër kampiones në fuqi, Italisë, fituesit në fuqi të Ligës së Kombeve, Spanjës, dhe ne jemi të tretit e botës. Për këtë është grupi më i vështirë. Ndeshja e parë kundër Spanjës në Berlin do të jetë spektakël. Kemi kundërshtarë të vështirë”, ka theksuar Daliq.
Më pas, ai ka folur edhe për Shqipërinë, dhe e ka vlerësuar.
Ka thënë se e kanë përcjellë.
“Italianët janë kampion Evrope, kanë kualitet. Ne e kemi studiuar Shqipërinë shumë. Ata kanë qenë shumë të mirë në kualifikime. Ndeshja e tretë kundër Italisë mund të jetë vendimtare. Besoj se do të jemi në formë të mirë fizike. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. E dimë synimin tonë, i cili është kalimi i grupit”, ka shtuar Daliq.
Ai ka thënë se Kroacia do ta ketë përkrahjen e madhe, pasi do të luajë në Berlin, Leipzig dhe Hamburg. Për këtë arsye mbështetet në mbështetjen e tifozëve.