Antonio Conte ka refuzuar të takohet me Chelsean, dhe po insiston se do ta dërgojë klubin anglez në gjykatë për shkak të obligimeve financiare të papaguara ndaj tij, raporton Sky Sports Neës.
Trajneri italian, që së fundmi e refuzoi Real Madridin, beson se ai duhet të paguhet sipas kontratës që kishte pasur me Chelsean, pasi ishte shkarkuar në fillim të këtij viti, transmeton Koha.net.
Avokatët e Contes janë duke punuar në dy çështje të ndryshme: Njëra për Gjykatën e Punësimit, dhe tjera në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Chelsea ka tentuar që të takohet me Conten në kërkim të një zgjidhje finale jashtë gjykatës, megjithatë italiani ka refuzuar të shkojë në këto takime.
Sipas këtyre raporteve thuhet se Conte po kërkon dëmshpërblim prej 8.7 milionë funtash, përveç pagës së mbetur prej 11.3 milionë funtash – duke e çuar pretendimin e tij në 20 milionë funta (rreth 23 milionë euro).
E Chelsea po refuzon t’ia paguajë këtë shumë për shkak të sjelljes së tij sa ishte në klub, përfshirë trajtimin jo të mirë që i kishte bërë Diego Costas, vonesat në konferenca, parkimin në vend të gabuar në qendrën stërvitore etj.