Antonio Conte nuk ka hezituar të bëjë ndryshime gjithëpërfshirëse në javën e tij të parë si trajner i Tottenhamit, ka shkruar “Daily Mail” të mërkurën. Madje, Conte ua ka ndaluar rreptësisht lojtarëve të tij përdorimin e keçapit dhe majonezës duke u thënë atyre se janë në mbipeshë. Italiani u konfirmua si zëvendësues i Nuno Espirito Santos javën e kaluar pasi ish-trajneri i Wolvesit u shkarkua pas një fillimi të dobët të sezonit.
Conte mbikëqyri një fitore të Ligës së Konferencës së Evropës ndaj Vitesses në ndeshjen e tij të parë në krye te Tottenhamit, përpara se të siguronte pikën e tij të parë në Premier League në barazimin 0:0 kundër Evertonit. Dhe, ish-trajneri i Juventusit, Chelseat dhe Interit nuk ka humbur kohë për të vulosur autoritetin e tij në klub. Ai madje ishte më shumë se një orë me vonesë në një konferencë për shtyp javën e kaluar, teksa stërviti metodat e tij te lojtarët në fushën stërvitore.
Madje, raportet në Angli zbuluan se yjet e Tottenhamit ishin “të vdekur” pas seancës stërvitore të premten e shkuar, gjë që nuk i ka pëlqyer aspak Contes. Italiani nuk u përmbajt edhe për gjendjen fizike të lojtarëve të tij duke pranuar se duhet punuar shumë në këtë aspekt. E po ashtu, u ka thënë atyre se janë me mbipeshë dhe ka këmbëngulur se duhet patjetër ta ndryshojnë mentalitetin. Ushqyerja ka qenë një fushë ku Conte është fokusuar shumë gjatë javës së parë të mandatit të tij në Londrën veriore. Ai madje ka siguruar që skuadra e tij të hajë drekën së bashku në mesditë. Ai ka hequr “ushqimin e rëndë dhe sandviçët” nga menyja në mensën e qendrës stërvitore dhe gjithashtu ka hequr qafe keçapin dhe majonezën. Gjithashtu është ulur sasia e lëngut të frutave që u jepet lojtarëve dhe sasia e vajit dhe gjalpit të përdorur në gatim. Ai gjithashtu u ka kërkuar yjeve të tij që të hanë më shumë fruta. Ish-përzgjedhësi i Italisë, ka pranuar se plani i tij për fazat e hershme te Tottenhami është se ai duhet të “ndryshojë shumë gjëra”.
“Unë mendoj se ky klub ka pasur një vizion të mrekullueshëm jashtë fushës dhe tani duhet të fillojë të ketë një vizion të mrekullueshëm në fushë, në futboll. Kjo është e rëndësishme nëse duam të fitojmë.
Klubi më ka zgjedhur mua dhe e di që më duhet kohë për të punuar dhe për të ndryshuar diçka në fushë”, ka pranuar Conte. “Mirëpo, duhet të jem i sinqertë. Duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Duhet të punojmë për të përmirësuar shumë aspekte. Për çdo lojtar, jo vetëm një, dy apo tre. Çdo lojtar duhet të punojë për të përmirësuar gjendjen fizike për të hyrë në idenë time për futbollin”.
Lojtarët e Tottenhamit që nuk janë grumbulluar nga përfaqësueset e tyre, do të ketë nga dy seanca rraskapitëse në ditë me Conten, i cili po insiston me çdo kusht ta instalojë filozofinë e tij të lojës dhe punës. Conte, tani ka më shumë se një javë deri në ndeshjen e ardhshme të Tottenhamit për të punuar. Më 21 nëntor, Tottenhami luan në shtëpi kundër Leedsit në kuadër të Premier Leagues.