Sport

Coleman ia ka “vënë syrin” kohës së Tyson Gayt

Atleti amerikan Christian Coleman beson se mund të bëhet njeriu i dytë më i shpejtë i të gjitha kohërave gjatë vitit 2018, por pranon se rekordi i botës në 100 metra që është vendosur nga xhamajkani Usain Bolt është jashtë mundësive të tij tash për tash.

Coleman, 22-vjeçar, ka fituar medaljen e artë të botës në 60 metra në palestër, më herët këtë muaj.

Rekordi i botës në 100 metra i Boltit është 9.58 sekonda, ndërsa amerikani Tyson Gay dhe xhamajkani Yohan Blake kanë kohën e dytë më të shpejt në histori, 9.69 sekonda.

“Rekordi i Tyson Gayt është më i mundshëm sesa ai i Usain Boltit. Jam duke u përgatitur për të vrapuar shpejt këtë stinor. Do të futem në gara të mira me shumë konkurrencë dhe do të jem i gatshëm të vrapoj shpejt. Atëherë thyhen rekordet”, ka deklaruar Coleman.

Koha më e mirë e Colemanit në 100 metra është 9.82 sekonda, që e vendosi në vitin 2017 për të thyer rekordin e tij të kolegjeve në SHBA, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Ai, po ashtu, fitoi medaljen e argjendtë në Botërorin në Londër vitin e kaluar dhe theu rekordin e botës në 60 metra në palestër këtë vit, rekord që kishte qëndruar për 20 vite, duke vendosur kohë të re prej 6.34 sekondave.

Arritjet e Colemanit kanë nxjerrë krahasime me medalistin e tetëfishtë të artë olimpik Usain Bolt. Coleman e vlerëson nder këtë krahasim.

“Kur ke dikë aq të madh si Usain Bolt dhe krahasohesh me të që është ikonë e sportit, atëherë kurrë nuk të pengon krahasimi. Mua nuk më pengon dhe as që lodhem nga ai. Definitivisht dua të vendos rrugën time dhe pas disa vjetëve njerëzit të thonë për ndonjë talent se “ai do të jetë Christian Colemani i ri'“, ka thënë Coleman.