Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çmimi Post-Mortem për kryetarin e parë të FFK-së, Agim Bytyqi

Agim Bytyqi ishte kryetari i parë i Federatës së pavarur të Futbollit të Kosovës.

Bytyqi me gjeneratën e sakrificës së futbollit kosovar, në vitet e 90-ta, i rezistuan pushtuesit, që po diskriminonte dhe të dëbonte sportistët shqiptarë nga arenat e tyre.

Bytyqi me shokë nuk i pranoi kushtëzimet nga okupatori serb dhe nisën me organizimin e garave të pavarura, në fusha të improvizuara. Sporti ishte prej formave më të vlerësuara të rezistencës në vitet e 90-a. Për të jetësuar ëndrrën, Bytyqi dhe drejtuesit tjerë të FFK-së kanë sakrifikuar shumë.

“Tash kur mendoj, e shoh që përnjëmend kemi pasur guxim, jo vetëm unë, për të gjithë. Disa herë na kanë ndërprerë lojërat. Vinin me autoblinda, me polici. Më kujtohet një ndeshje, Besa-Liria në Suharekë, ku të gjithë lojtarët i kanë mbështetur për muri dhe nuk e dinim se çka do të ndodhë”, kishte thënë Bytyqi me 10 nëntor 2019, në intervistën dhënë për “Sportin Total” të Kohavisonit.

Bytyqi kishte qarë kur e kishte shikuar ndeshjen e parë të Kosovës kundër Shkëndijës së Tetovës, në vitin 1992.

“Unë dhe Bedri Hamza, i ndjeri, kemi qenë bashkë në stadium. E di që më kanë shkuar lotët dhe jo vetëm mua, por të gjithëve. Ka qenë moment që nuk mund të përshkruhet”, kishte deklaruar Bytyqi.

Agim Bytyqi u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, më 10 tetor të këtij viti. Ai ka qenë futbollist i shquar si dhe kryetar i klubit Liria.

Edhe FFK-ja ngushëllon familjen për vdekjen e futbollistit 22-vjeçar Futboll 1 muaj më parë FFK-ja ngushëllon familjen për vdekjen e futbollistit 22-vjeçar

KOHA ndan për Bytyqin çmimin “Post-Mortem”, për kontributin e tij në pavarësimin e futbollit kosovar. Çmimin e pranoi djali i të ndjerit, Astriti.

“Faleminderit Grupit KOHA për këtë mirënjohje për babanë tim, Agim Bytyqin, që ka kontribuar për futbollin. Gjatë gjithë jetës është marrë me sport dhe e ka dashur shumë. Ju falënderoj për këtë mirënjohje”, tha Astrit Bytyqi pasi e mori çmimin.