Në vitin 2018, Manchester City vendosi standarde të reja në Premier League duke shënuar 106 gola dhe duke tubuar 100 pikë. Liverpooli përfundoi me 25 pikë më pak, në vendin e katërt.
Por që nga ajo kohë, shumë pak ka dallim mes këtyre dy skuadrave.
Ato së bashku kanë fituar tre tituj kampioni në Premier League, dy City dhe një Liverpooli. Edhe një titull tjetër pritet të fitohet nga njëri prej dy ekipeve në muajin maj.
Gjatë katër fushatave të fundit, këto dy ekipe kanë vetëm një pikë dallim mes vete. E një pikë po i mban larg njëri-tjetrit pas 30 ndeshjeve të luajtura këtë sezon.
City në total ka marrë 338 pikë nga 144 ndeshje, ndërsa Liverpooli ka 337 pikë.
Nëse “të kuqtë” arrijnë që të fitojnë në “Etihad Stadium” të dielën në orën 17:30, me shumë gjasë do të vendoset edhe gara për titull kampioni.
Në edicionin aktual, City prinë në tabelë me 73 pikë, një më shumë se Liverpooli.
Sa i përket statistikave, faza e sulmit mund ta bëj diferencën. Liverpooli ka realizuar 77 gola sivjet, shtatë më shumë se City. Ndodh një gjë e tillë për herën e parë që prej kampanjës së parë të Pep Guardiolës në vitin 2016/17.
Pikët e plota për skuadrën e drejtuar nga Juergen Klopp, do ta kthenin Liverpoolin në krye të Premier Leagues për herë të parë që prej 1 tetorit.
City e ka humbur vetëm një nga 12-të ndeshjet e fundit në shtëpi në kuadër të Premier Leagues. I ka fituar shtatë ndeshje dhe ka barazuar katër herë, ndërsa në nëntor të vitit 2015, u mposht 4:1. Ishte edhe vizita e parë e Jurgen Kloppit me Liverpoolin.
Vendi i tretë, Chelsea, që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe ka 59 pikë, të shtunën luan në udhëtim te Southamptoni, në orën 16:00.