Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se ekipi i tij është goditur sërish nga një valë e re e koronavirusit.
Kampioni në fuqi i Anglisë, ishte pa 21 persona përfshirë edhe Guardiolan në ndeshjen e javës së shkuar në kuadër të Kupës FA kundër Swindonit për shkak të infektimit me koronavirus. Disa prej titullarëve tashmë janë kthyer në ekip dhe pritet të luajnë kundër Chelseat të shtunën në kuadër të Premier Leagues.
“Disa njerëz janë kthyer, ndërsa disa të tjerë janë sërish pozitiv. Kur rezulton negativ pas dy testeve mund të kthehesh, ndryshe nuk bën”, ka thënë Guardiola që nuk ka zbuluar emrat e të infektuarëve.
“I kemi disa raste të reja që janë prekur nga koronavirusi por ata kanë kërkuar privatësi për këtë dhe nuk mund të tregojë se cilët janë infektuar”.
Trajneri i Cityt vazhdimisht është kollitur gjatë konferencës së mbajtur të premten por ka thënë se ndihet mirë dhe se ka disa ditë që i është kthyer punës.