Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Cilat skuadra u licencuan e cilat i refuzoi FFK-ja për gara evropiane

Drita dhe Prishtina janë dy skuadrat nga Superliga e Kosovës në futboll që do të garojnë këtë sezon në garat evropiane të UEFA-s.

Federata e Futbollit e Kosovës të premten zbuloi skuadrat e licencuara për garat evropiane, si dhe ato që u janë refuzuar aplikimet për licencim.

Duke qenë se në mesin e skuadrave që aplikuan për licencë janë dy ekipet e para Drita e Prishtina, këto dy skuadra do të garojnë në kualifikimet e garave evropiane, por titulli i kampionit, do të vendosë se cila skuadër do të luajë në Ligën e Kampionëve, e cila në Ligën e Evropës.

Menaxheri për licencimin e klubeve Bajram Shala dhe anëtari në komisionin për licencim Naim Havolli, kanë shpalosur detajet e këtyre vendimeve

Nga 12 ekipet e Vala Superligës, kanë aplikuar për licencim 10 prej tyre.

Drita, Prishtina, Trepça ‘89 , Liria, Llapi e Gjilani janë klubet të cilat janë licencuar, ndërsa ekipet e refuzuara janë Feronikeli, Vellaznimi, Drenica dhe Flamurtari.