Sulmuesi Sokol Çikalleshi është ndarë i kënaqur me paraqitjen ndaj Polonisë, me gjithë humbjen 1:0. Ai është i kënaqur me angazhimin që kanë treguar kuqezinjtë.
“Një nga ndeshjet më të vështira të grupit. Polonia është ekip i fortë. Por Kombëtarja sot tregoi se ka hapur faqe të re. Patë një kombëtare me shpirt gare. Kemi tentuar kundërsulmin dhe kishim rastet. Por Polonia ka portier shumë të mirë dhe nuk na lejoi të shënojmë. Jam i sigurt që kjo Kombëtare me shpirtin që tregoi sot, i ka bërë shqiptarët të ndjehen mirë dhe të besojnë në Kombëtaren për të ardhmen”, ka thënë Çikalleshi. “Me strategjinë që kemi menduar, të rrijmë kompakt në gjysmën e fushës sonë, besoj se shkoi mirë. Vetëm në rastin e golit, që mund të evitohej, Polonia rrezikoi dhe nuk kishte rast tjetër. E rëndësishme është që Kombëtarja të ketë këtë shpirt gare. Me këtë shpirt gare jemi në rrugën e duhur”, ka shtuar sulmuesi shtatlartë.