Skuadra e Chelseat do të përpiqet t’ia shkaktojë Arsenalit humbjen e parë këtë edicion në Premier League. Arsenali, së bashku me Tottenhamin, janë ekipet e vetme që ende nuk dinë për humbje pas tetë xhirove të luajtura. Të dyja, prijnë në tabelë me nga 20 pikë të mbledhura, dy më shumë se kampioni në fuqi, Manchester City që zë vendin e tretë. Derbi i Londrës, në fakt, do të jetë edhe ndeshja më interesante e xhiros së nëntë të kampionatit anglez që nis të shtunën dhe mbyllet të hënën.
Chelsea e pret Arsenalin në stadiumin “Stamford Brige” të shtunën prej orës 18:30. Për dallim prej Arsenalit që ka pasur një start të hatashëm këtë edicion, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Chelsean. Me 3 fitore, 2 barazime dhe tri humbje, Chelsea zë vendin e 11-të në tabelë me 11 pikë të mbledhura. Chelsea në këtë derbi futet pas një barazimi dhe një humbjeje në kampionat, ndërsa Arsenali ka regjistruar tri fitore rresht, përfshirë këtu edhe triumfin ndaj Manchester Cityt. Te Chelsea tashmë është e konfirmuar mungesa e Armando Brojës, ndërsa tek Arsenali në dyshim mbeten Bukayo Saka dhe William Saliba.
Të shtunën, zhvillohen 7 ndeshje të kësaj xhiroje, e cila nis me derbin e qytetit mes Liverpoolit dhe Evertonit prej orës 13:30. Liverpooli, vlerësohet favorit pasi ka vetëm një humbje deri më tani dhe 17 pikë të tubuara, 10 më shumë se Evertoni që renditet në pjesën e poshtme të tabelës.
Manchester City prej orës 16:00 luan në shtëpi me Brightonin, ekip që edhe këtë edicion ka vazhduar me futboll atraktiv dhe ka vetëm dy pikë më pak se skuadra e Pep Guardiolas.
Të dielën, luhet ndeshja Aston Villa – Fulham prej orës 17:30, ndërsa kjo xhiro mbyllet të hënën mbrëma me duelin mes Tottenhamit dhe Fulhamit.